Bashkimi Evropian ka ofruar mbi 880 milionë euro mbështetje direkte për sektorin publik në Shqipëri dhe ka mobilizuar 8.4 miliardë euro investime, bëri të ditur sot ambasadorja e BE-së në Tiranë, Sofie Moreira de Sousa, gjatë ditës së dytë të Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor.
Duke e cilësuar Ballkanin Perëndimor si pjesë thelbësore të së ardhmes evropiane, de Sousa theksoi se zgjerimi dhe konkurrueshmëria janë dy procese që ecin paralelisht dhe se blloku evropian është i gatshëm ta rrisë edhe më tej mbështetjen për rajonin.
“BE ka dhënë më shumë se 880 milionë euro në mbështetje të sektorit publik në Shqipëri dhe ka mobilizuar 8.4 miliardë euro në investime. Transformimi ekonomik është më shumë se një përgjegjësi që ndahet me të gjithë, është një mundësi që ndahet me të gjithë, për ta sjellë rajonin më afër, për të forcuar ekonomitë e tyre dhe që të ndërtojmë të ardhmen tonë së bashku. BE-ja është e gatshme që ta shtojë mbështetjen”, deklaroi ambasadorja.
Sipas saj, afërsia gjeografike, potenciali sipërmarrës, aftësitë industriale dhe talenti njerëzor i Ballkanit Perëndimor përbëjnë avantazhe strategjike për forcimin e ekonomisë evropiane, diversifikimin e kanaleve të furnizimit dhe sigurimin e energjisë së pastër. Ajo vuri në dukje se tregtia në mallra me rajonin tejkaloi shifrën e 88 milionë eurove në vitin 2025 — më shumë se dyfishi krahasuar me një dekadë më parë.
Duke iu referuar Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, de Sousa nënvizoi se integrimi gradual në tregun e vetëm evropian duhet të përshpejtohet, në mënyrë që bizneset dhe qytetarët t’i ndiejnë përfitimet ekonomike përpara anëtarësimit zyrtar. Ajo shtoi se BE-ja po mbështet projekte konkrete në infrastrukturë, konektivitet, tranzicionin e gjelbër dhe digjital, përfshirë dekarbonizimin e industrisë së çimentos.
Megjithatë, ambasadorja e BE-së paralajmëroi se vetëm fondet publike nuk mjaftojnë për transformimin ekonomik, duke kërkuar reforma të qëndrueshme, forcim të shtetit të së drejtës, përmirësim të klimës së investimeve dhe angazhim më të madh të sektorit privat.
“Koha për të vepruar është tani, me qëllim që të integrohemi gradualisht me tregun e brendshëm evropian dhe të jemi të përgatitur për anëtarësimin. Ne kemi nevojë për energjinë, ambicien dhe besimin e investitorëve e bizneseve, por edhe për gatishmërinë e udhëheqësve politikë për t’i vënë gjërat në zbatim”, përfundoi de Sousa. /ATSH/
