Demokratët u zotuan se do të përdorin fitoren e tyre të thellë në zgjedhjet mesmandatit për të frenuar presidentin Donald Trump, duke paralajmëruar dy vite të mundshme bllokimi politik në Washington, ndërkohë që Trump e kaloi daljen e tij të parë publike pas zgjedhjeve duke prezantuar sallën e ballos që po ndërton në Shtëpinë e Bardhë.
Një valë pakënaqësie ndaj politikave të Trumpit, veçanërisht ndikimi i luftës SHBA-Iran në rritjen e kostos së jetesës, ndihmoi demokratët të marrin kontrollin e Senatit, ku ata përmbysën rezultatet në shtete me shumicë të thellë republikane duke siguruar një shumicë prej të paktën 54 me 44 vende. Gjithashtu, demokratët fituan të paktën 30 ulëse shtesë në Dhomën e Përfaqësuesve.
Kjo do të jetë hera e parë që Trump përballet me një Kongres të kontrolluar plotësisht nga demokratët në të dyja dhomat.
Udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, deklaroi se shumica e re do të fokusohet në përballueshmërinë e jetesës dhe llogaridhënien institucionale.
“Ne nuk punojmë për Donald Trumpin,” u shpreh para gazetarëve Jeffries, i cili pritet të bëhet kryetari i parë me ngjyrë i Dhomës së Përfaqësuesve. “Ne punojmë për popullin amerikan. Ditët kur Dhoma e Përfaqësuesve funksiononte si një degë në pronësi të plotë të administratës Trump kanë përfunduar.”
Në këtë linjë, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili është shndërruar në një figurë me ndikim kombëtar mes demokratëve, publikoi një video në rrjetet sociale ku i bëri thirrje partisë së tij t’u përgjigjet shqetësimeve të votuesve të ngarkuar nga rritja e çmimeve.
“Nuk mjafton vetëm fitimi i pushtetit. Ne duhet ta përdorim atë,” tha Mamdani. “Tani është koha që ne në Partinë Demokrate të japim rezultate”, tha ai.
Nga ana tjetër, Trump – i cili daljen e tij të fundit publike para zgjedhjeve ia kishte kushtuar punimeve renovuese në Shtëpinë e Bardhë – thirri gazetarët mëngjesin pas humbjes së partisë së tij për t’u treguar ecurinë e ndërtimit të sallës së re të ballos.
“Kur më kritikojnë duke më pyetur pse po merrem me punimet në Shtëpinë e Bardhë, unë e bëj sepse Shtëpia e Bardhë është simboli me i lartë i Amerikës dhe duhet të jetë me pamje të përsosur,” deklaroi Trump. “Për mua, kjo punë është relaksuese”. /REUTERS/
