Autori hungarezo-britanik David Szalay është shpallur fitues i Çmimit Booker 2025 për romanin e tij të gjashtë, “Flesh”.
Vepra ndjek jetën e një burri të quajtur István, nga fëmijëria deri në mesomoshë, duke trajtuar tema të ndjeshme si maskiliteti, klasa shoqërore, migrimi, trauma, seksualiteti dhe pushteti.
Juria e çmimit, e kryesuar nga shkrimtari Roddy Doyle, e cilësoi romanin si “të errët në shumë aspekte, por një kënaqësi për t’u lexuar”.
Doyle theksoi se Szalay ka zgjedhur të vendosë në qendër të rrëfimit një burrë të klasës punëtore, një figurë që rrallë herë portretizohet në mënyrë kaq të ndërlikuar në letërsinë bashkëkohore.
“Flesh” nis me një ngjarje në fëmijërinë e Istvánit e ndjek jetën gjatë shërbimit ushtarak e më vonë në Londër, ku punon për familje të pasura. Me një stil të përmbajtur dhe të kthjellët, romani depërton në shtresat më të thella fizike e emocionale të personazhit kryesor.
Ceremonia e ndarjes së çmimit u mbajt në Old Billingsgate në Londër, ku Szalay mori shpërblimin prej 50,000 paundësh. Ai kishte qenë më parë në listën e ngushtë të Booker-it në vitin 2016 me romanin All That Man Is.
Paneli gjykues i këtij viti përfshinte edhe aktorën Sarah Jessica Parker dhe shkrimtarët Chris Power, Ayọ̀bámi Adébáyọ̀ dhe Kiley Reid.
“Flesh” triumfoi përballë finalistëve tjerë, përfshirë Andrew Miller me The Land in Winter dhe Kiran Desai me The Loneliness of Sonia and Sunny, ndërsa në listën e shkurtër ishin Flashlight e Susan Choi, Audition e Katie Kitamura, dhe The Rest of Our Lives e Ben Markovits. /A.Z/UBT News/

