Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar me seancat stërvitore edhe në ditën e tretë të grumbullimit për dy ndeshjet e fundit të edicionit të sivjetmë në Ligën e Kombeve kundër Irlandës së Veriut, më 24 shtator dhe kundër Qipros, më 27 shtator.
Përzgjedhësi Alain Giresse ka vendosur që gjatë ditës së mërkurë të punojë me futbollistët në dy seanca, ku paradite është punuar në Kampin Nacional në Hajvali, derisa pasdite, në orën 16:30, do të mbahet stërvitja në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në seancën e sotme në dispozicion kanë qenë të gjithë futbollistët e paraparë, të cilët kanë punuar me intensitet dhe përkushtim, teksa kapiteni Amir Rrahmani, ka stërvitur i diferencuar në shoqëri të trajnerit të fitnesit, pasi ka arritur më vonë në grumbullim. Për të njëjtat arsye, me intensitet më të ulët ka stërvitur edhe portieri Arijanet Muric. Atmosfera në ekipin kombëtar është shumë e mirë, derisa motivi tek futbollistët për ta përmbyllur këtë edicion me rezultate pozitive është maksimal.
Njëri nga futbollistët me formën më të mirë, Vedat Muriqi, beson se Kosova, përkundër mungesave të rëndësishme në këto dy ndeshje, do të arrijë të marrë rezultate pozitive.
“Po përgatitemi maksimalisht për ndeshjen kundër Irlandës së Veriut. Sigurisht se do të udhëtojmë për fitore. Në Prishtinë kemi fituar dhe e dimë se çfarë na pret atje. Atje presim të ketë shumë shikues, ku të bashkuar do të na sulmojnë të gjithë, por edhe ne kemi kualitetet tona dhe ashtu siç e kemi fituar ndeshjen e parë, besoj se do ta fitojmë edhe të dytën”, ka theksuar Muriqi.
Ai thotë se Kosova ka një ekip kombëtar të mirë dhe mungesat do të mbulohen me lojtarë tjerë.
“Shumica e lojtarëve jemi që po luajmë nëpër ekipet tona. Edhe pse kemi mungesa besoj se ata lojtarë që do ta kenë rastin të luajnë në pozitat e atyre që mungojnë, do ta japin maksimumin. Është më rëndësi të kenë një sistem bazë që për momentin e kemi dhe kur e ke sistemin, pavarësisht kush hyn apo kush del nuk krijon shumë dallim”, ka shtuar sulmuesi i Mallorca-s, i cili në këtë edicion ka shënuar tre gola në La Liga.
Ai vë në pah shpirtin luftarak si pikën më të fortë të Dardanëve. “Ne, në asnjë lojë nuk e kemi fituar me rezultat bindës apo me posedim të topit dhe gjuajte, por kemi luftuar dhe kemi fituar me shpirt luftarak. Edhe irlandezo-veriorët janë me mentalitet si ne të Kosovës dhe besoj se do të bëhet një lojë e fortë, por ne me armën tonë kryesore që e kemi shpirtin luftarak do të shkojmë atje dhe ta japim maksimumin”, ka nënvizuar Muriqi.
E futbollisti i Llapit, Ilir Krasniqi, i cili për herë të parë ndodhet i grumbulluar me ekipin kombëtar, është shprehur i lumtur që përzgjedhësi Alain Giresse e ka vlerësuar formën e tij në këtë edicion.
“Jam mjaft i lumtur që jam këtu dhe për ftesën nga trajneri. Më kanë pritur ngrohtë mua dhe dy lojtarët e tjerë të Superligës. Atmosfera është e mirë, madje shumë më e mirë se sa që e kam menduar. Shpresoj të vazhdojmë kështu. Kjo po tregon se ndoshta në të ardhmen do t’i jepet mundësia edhe më shumë lojtarëve të Superligës siç jemi ne në këtë grumbullim. Shpresojmë të rritet ky numër në të ardhmen. Pritjet gjithmonë janë maksimale, besoj që t’i fitojmë pikët e plota edhe pse e dimë se do të jetë e vështirë, por shpresojmë më të mirën”, ka theksuar Krasniqi.