UBT News

Dardanët gati për “Finalen” e Bratisllavës: Sot seanca e fundit para nisjes drejt Sllovakisë

Kombëtarja e Kosovës ka përmbyllur sot përgatitjet në tokën amtare para njërës prej ndeshjeve më përcaktuese në historinë e saj të deritashme. Nën dritat e kampit stërvitor, “Dardanët” kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore përpara udhëtimit drejt Bratisllavës, ku nesër mbrëma do të kërkojnë biletën për finalen e madhe të “play-off”-it për Botërorin 2026.

Përzgjedhësi Franco Foda ka shfrytëzuar këtë seancë për të analizuar detajet e fundit taktike. Burime brenda kampit bëjnë me dije se vëmendja kryesore i është kushtuar disiplinës në mbrojtje dhe tranzicionit të shpejtë, duke analizuar me kujdes pikat e forta të Sllovakisë. Foda është parë mjaft kërkues ndaj lojtarëve, duke insistuar në përqendrim maksimal për çdo fazë të lojës.

Përtej aspektit teknik, ajo që bie në sy është harmonia e plotë brenda grupit. Atmosfera në kampin e Dardanëve përshkruhet si jashtëzakonisht pozitive. Lojtarët reflektojnë një unitet të fortë dhe një motiv të lartë, duke e parë këtë sfidë jo vetëm si një ndeshje futbolli, por si mundësinë e artë për të realizuar ëndrrën e madhe të një populli: kualifikimin në Kupën e Botës.

Përballja e nesërme në gjysmëfinalen e “play-off”-it vlerësohet si vendimtare. Një rezultat pozitiv në Bratisllavë do t’i hapte rrugën Kosovës drejt finales që do të përcaktonte fatin e tyre për verën e vitit 2026.

Exit mobile version