UBT News

Dalin rezultatet e qytetit të parë në SHBA, Trump dhe Harris “kokë më kokë”

Në një ilustrim se sa e ngushtë është gara në të gjithë vendin, Kamala Harris dhe Donald Trump janë të barabartë me nga tre vota secili në një qytet të vogël në New Hampshire që ka prodhuar rezultatin e parë të ditës së zgjedhjeve.

Dixville Notch, ku ka vetëm gjashtë votues, ka një traditë që daton që nga viti 1960 për të qenë qyteti i parë që përfundon votimin dhe numërimin.

Një version fizarmonikë i himnit kombëtar të SHBA-së kumboi përpara se votuesit të votonin në mesnatë.

Numërimi përfundoi 15 minuta më vonë.

Donald Trump dhe Kamala Harris janë në një garë të ngushtë, ku ende sondazhet nuk japin një fitues të qartë.

Një seri sondazhesh u publikuan gjatë fundjavës në Shtetet e Bashkuara, me secilin prej tyre që tregonte shifra që ndryshonin lehtshëm.

Nëse ndiqet trendi tërësor dhe jo ai individual i kandidatëve, atëherë Kamala Harris është vetëm një pikë përpara ndaj Trump në sondazhet kombëtare, përkatësisht 48 me 47 për qind.

Por kuotat në fjalë nuk do të përcaktojnë fituesin, që ka gjasa të vendoset në shtatë shtetet e konsideruara fushë beteje.

Konkretisht, Trump kryeson me nga një deri në 3 pikë në shtetet Xhorxhia, Arizona dhe Karolinën e Veriut. Ndërsa në fushëbetejat e tjera rezultatet janë edhe më të ngushta.

Trump kryeson me më pak se një pikë në Pensilvani dhe Nevada, ndërsa Harris me një avantazh të barabartë në Miçigan dhe Uiskonsin.

Por asnjëri nga kandidatët nuk mund të pretendojë fitoren në këto shtete, pasi shpesh herë rezultatet e zgjedhjeve kanë ndryshuar nga ato të sondazheve me rreth tre pikë, nivel që mund të përmbysë çdo avantazh.

Ndryshimi më i madh i rezultateve të sondazheve ndodhi ditën kur Harris u bë kandidate e demokratëve. Në ditën kur Biden njoftoi braktisjen e garës, ai ishte pas Trump me thuajse 5 pikë përqindjeje në të shtata shtetet e lëkundura.

Në Pensilvani për shembull, Biden ishte mbrapa me 4.5 pikë përqindjeje kur u tërhoq. Bëhet fjalë për një shtet kyç për të dyja kampet pasi ka numrin më të lartë të votuesve elektorale dhe rrjedhimisht, një fitore atje e bën më të lehtë fitoren e 270 votave të nevojshme.

Por sondazhet nuk janë edhe aq të besueshme. Ato kanë nënvlerësuar mbështetjen për Trump në dy zgjedhjet e fundit dhe marzhi i gabimit në nivel kombëtar në 2020-n ishte më i larti në 40 vjet. Ndaj motivet për t’u treguar të matur me rezultatet janë të shumta.

Exit mobile version