UBT News

Dalin në ankand kaseta me intervista të padëgjuara të John Lennonit

Një set kasetash me intervista të padëgjuara të këngëtarit dhe tekstshkruesit të ndjerë, John Lennon kanë dalë në shitje. Në këto intervista ai flet për këngët e tij të preferuara të grupit “Beatles”.

Gazetari kanadez, Ken Zeilig regjistroi 91 minutat e intervistës me yllin, gjatë viteve 1969 dhe 1970. Besohet se vetëm pesë minuta të intervistës janë transmetuar, në fund të viteve 1980.

Lennon flet për ndikimin e muzikës, të ardhmen e “The Beatles” dhe për atë se si ia ndryshoi jetën gruaja e tij. Ai tha se mendonte që grupi kishte “efekt pozitiv” te të rinjtë në vitin 1960.

12 kasetat kanë intervista të redaktuara dhe të paredaktuara, muzikë të Beatles dhe transkriptime të hollësishme. Ato u gjetën së fundmi nga familja e Zeilig, i cili vdiq në 1990.

Besohet se një pjesë e incizimeve u transmetuan në një radio në Amerikë, por pjesa tjetër thuhet se janë të padëgjuara.

Kasetat do të dalin në ankand më 28 shtator dhe pritet të shiten për 20 mijë deri në 30 mijë funta./UBTNews

Exit mobile version