Një ish-sekretareshë që punonte për komandantin e një kampi përqendrimi nazist është dënuar për bashkëpunim në vrasjen e më shumë se 10,505 personave.
Irmgard Furchner, 97 vjeç, u mor si daktilografiste adoleshente në Stutthof dhe punoi atje nga 1943 deri në 1945.
Furchner, një nga gratë e pakta që u gjykua për krime naziste në dekada, iu dha një dënim me dy vjet burg me kusht.
Edhe pse ajo ishte një punëtore civile, gjykatësi pranoi se ajo ishte plotësisht në dijeni të asaj që po ndodhte në kamp.
Rreth 65,000 njerëz mendohet se kanë vdekur në kushte të tmerrshme në Stutthof, përfshirë të burgosur hebrenj, polakë jo-hebrenj dhe ushtarë të kapur sovjetikë.
Stutthof, i vendosur pranë qytetit modern polak të Gdanskut, përdori një sërë metodash për të vrarë të burgosurit e tij dhe mijëra vdiqën në dhomat e gazit atje më 1944.
Gjykata në Itzenhoe në Gjermaninë veriore dëgjoi të mbijetuarit e kampit, disa prej të cilëve kanë vdekur gjatë gjyqit.
Kur filloi gjyqi në shtator 2021, Irmgard Furchner doli në arrati nga shtëpia e saj e të moshuarve dhe u gjet përfundimisht nga policia në një rrugë në Hamburg.
Komandanti i Stutthof, Paul-Werner Hoppe u burgos në vitin 1955 pasi ishte ndihmës i vrasjeve dhe ai u lirua pesë vjet më vonë.
Një seri ndjekjesh penale janë zhvilluar në Gjermani që nga viti 2011, pasi dënimi i ish-rojit të kampit nazist të vdekjes, John Demjanjuk, krijoi precedentin se të qenit roje ishte provë e mjaftueshme për të provuar bashkëpunimin.
Ky vendim nënkuptonte gjithashtu se punonjësja civile Furchner mund të dilte në gjyq, pasi ajo punonte drejtpërdrejt me komandantin e kampit, duke u marrë me korrespondencën rreth të burgosurve të Stutthof.
U deshën 40 ditë që ajo të thyente heshtjen në gjyq, kur i tha gjykatës “Më vjen keq për gjithçka ka ndodhur”.
Duke qenë se ajo ishte nën 21 vjeç në atë kohë, gjykimi u zhvillua në një gjykatë të posaçme për të mitur. “Më vjen keq që isha në Stutthof në atë kohë – kjo është gjithçka që mund të them”, tha ajo.
Avokatët e saj mbrojtës argumentuan se ajo duhet të lirohet për shkak të dyshimeve rreth asaj që ajo dinte, pasi ajo ishte një nga disa daktilografiste në zyrën e Hoppe.
Megjithatë, historiani Stefan Hördler luajti një rol kyç në gjyq, duke shoqëruar dy gjyqtarë në një vizitë në vendin e kampit. Nga vizita u bë e qartë se Furchner ishte në gjendje të shihte disa nga kushtet më të këqija në kamp nga zyra e komandantit.
Historiani tha në gjyq se 27 mjete transporti me 48,000 njerëz mbërritën në Stutthof midis qershorit dhe tetorit 1944, pasi nazistët vendosën të zgjerojnë kampin dhe të përshpejtojnë vrasjet masive me përdorimin e gazit Zyklon B.
Hördler e përshkroi zyrën e Hoppe si “qendrën nervore” për gjithçka që ndodhi në Stutthof./UBTNews/