UBT News

Çka është sindromi Ramsay Hunt?

Një çrregullim i rrallë i njohur me emrin Ramsay Hunt ka pushtuar titujt e mediave pasi këngëtari Justin Bieber njoftoi se ka këtë çrregullim dhe u detyrua të anulojë shfaqjet e tij të ardhshme.

Ramsay Hunt shkaktohet nga i njëjti virus që shkakton linë e dhenve dhe herpesin dhe mund të çojë në paralizë të fytyrës.

Superylli kanadez 28-vjeçar tha në një video në Instagram të premten e javës së kaluar se për shkak të këtij çrregullimi ai s’mundi ta lëvizte një pjesë të fytyrës, as nuk mundi ta mbyllte njërin sy, e madje as të buzëqeshte.

“Natyrisht siç mund ta shihni nga fytyra ime, unë kam këtë sindromë të quajtur Ramsay Hunt, dhe është nga ky virus që sulmon nervin në veshin tim dhe nervat e fytyrës sime dhe ndikoi që fytyra ime të paralizohet”, deklaroi Bieber.

Pas publikimit të kësaj videoje, disa përdorues të mediave sociale u përpoqën ta lidhin çrregullimin me efektet anësore të vaksinave të COVID-19.

Çfarë e shkakton këtë sindromë?

Sindroma Ramsay Hunt shkaktohet nga i njëjti virus (varicella-zoster) që shkakton linë e dhenve dhe herpesin. Sipas klinikës Mayo, pas largimit të lisë së dhenve, virusi ende jeton në nervat e një personi. Ai mund të riaktivizohet në vitet e mëvonshme për të shkaktuar herpes, që është një skuqje e dhimbshme me flluska të mbushura me lëngje. Ramsay Hunt është një shpërthim i herpesit që prek nervin e fytyrës pranë veshit, thotë klinika. Kjo mund të shkaktojë paralizë të njëanshme të fytyrës dhe humbje të dëgjimit.

Cilat janë simptomat?

Skuqje dhe lloj fluskash, si dhe dobësi apo paralizë e fytyrës në njërën anë. Përveç kësaj, janë edhe disa simptoma sikurse dhimbje veshi, humbje dëgjimi, zhurmë në vesh, tharja e gojës dhe syve, humbje e shijes, e të tjera.

Si trajtohet?

Pacientët me sindromin Ramsay Hunt trajtohen me barna antivirale, si dhe me kortikosteroide, ilaçe kundër ankthit për të lehtësuar vertigon dhe qetësues kundër dhimbjeve. Në shumicën e rasteve, pacientët shërohen plotësisht brenda disa javësh nëse nuk ka shumë dëme në nerv. Charles Nduka, konsulent i kirurgjisë plastike në Britani dhe bashkëthemelues i Facial Palsy, i tha Reuters se 75% e pacientëve me sindromin, që marrin trajtim të hershëm, përfshirë steroidët dhe antiviralët, shërohen tërësisht.

Nduka tha se mund të shihte shenja “inkurajuese” të hershme të shërimit në videon e shpërndarë nga Bieber./UBTNews/

Exit mobile version