UBT News

Çfarë do të ndodhë me karrierën e Smith pas ceremonisë Oscar?

Aktori Will Smith u shndërrua nga i preferuari i publikut te më i përfoluri kur e goditi me shuplakë prezantuesin Chris Rock në skenë gjatë ceremonisë Oscar fundjavën e kaluar. A i ka bërë dëm të përhershëm imazhit dhe karrierës së tij dhe çfarë mund të ndodhë më pas?

Pas përfundimit të asaj mbrëmje, Will Smith mund të ketë shpresuar se nuk do të ketë pasoja. Fjalimi i tij emocionues gjatë pranimit të çmimit, ku edhe i kërkoi falje Akademisë dhe tentoi ta cilësonte veten si “mbrojtës i familjes”, ngjalli shumë reagime. Më pas publikoi një video duke kërcyer sikur të mos ketë ndodhur asgjë.

Por kur u zgjua mëngjesin e nesërm, stuhia nuk kishte marrë fund. Situata veçse u tensionua.

“Është një lloj çmendurie të mendosh se ky incident i vetëm mund të fshijë kaq shumë dekada të vullnetit të mirë”, thotë kryeredaktorja e The Wrap, Sharon Waxman.

“Por gjithçka ishte publike, jashtë kontrollit. Një agjent me të cilin folëm ne deklaroi se ishte ‘gjest i narcizmit’. Emri i tij është njollosur keq”, deklaroi ajo.

Faqja e saj në internet ka publikuar një artikull duke pyetur të brendshëm të industrisë së filmit nëse karriera e Smith është “plagosur për vdekje” nga ky gjest.

“Përfundimi është po”, thotë ajo. “Plagë vdekjeprurëse” citohet të ketë thënë një agjent.

“Ideja që njerëzit ende lidhen me Will Smith dhe ndihen sikur ai është shembulli që duan ta ndjekin, e admirojnë dhe pretendojnë se – ai është shembulli ideal – mendoj se tani u shfaq ndjenja që kjo lidhje me të mund të jetë zhdukur për shkak të gjestit të tij”, deklaroi ai.

Kim Masters, kryeredaktore e Hollywood Reporter, pajtohet se Smith – i njohur për hitet si “Men In Black”, “Independence Day” dhe “Bad Boys” – i ka bërë dëm të madh imazhit të tij.

“Ai ka ndërtuar një personazh gjatë shumë, shumë vitesh dhe kjo ishte një shkëputje e plotë nga ai personazh”, tha ajo për programin Today të BBC Radio 4.

“Njerëzit ishin absolutisht të tronditur nga sjellja e tij dhe më pas një fjalim mjaft i çuditshëm gjatë pranimit të çmimit dhe më pas shfaqet duke kërcyer sikur të mos kishte ndodhur gjë, në festën e Vanity Fair. Pra ky është një ndryshim i madh i asaj që njerëzit dinë dhe presin nga Will Smith”, deklaroi ajo.

53-vjeçari nuk ka këso historie të mëhershme dhe njihet për sjelljen e tij fisnike, shtoi ajo.

“Por megjithatë shumë njerëz kanë thënë se s’mund ta shikojnë njëjtë më”, deklaroi ajo.

Çka mund të presim nga ai në muajt në vijim?

Mbase mund të nisë punë bamirësie, një njoftim publik në lidhje me terapinë apo menaxhimin e zemërimit dhe një intervistë të detyrueshme rreth këtij rrëfimi – mbase edhe në emisionin e familjes së tij në rrjetin social Facebook – Red Table Talk. Pikërisht kështu vepruan edhe më herët, saktësisht kur ai dhe gruaja e tij, Jada Pinkett Smith, u qartësuan rreth problemeve në lidhjen e tyre në vitin 2020, që shënon skandalin më të madh të tij në të kaluarën. Gjithashtu përmes asaj platforme ata treguan rreth çrregullimit me të cilin po përballet Pinkett Smith.

Filmat e tij të ardhshëm

Smith ka një numër filmash në të cilët ka punuar së fundi, por që tani nuk dihet e ardhmja e tyre. Përfshirë këtu “Bad Boys 4”, “Bright 2” dhe “Apple’s Emancipation”.

“Një indikator tejet i fuqishëm që do të tregojë se sa i është dëmtuar reputacioni i tij vjen kur Apple do të tregojë se çka do të bëjë me këtë film. Të gjithë menduan se do të dilte në gjysmën e dytë të vitit dhe do të ishte në garë për çmime për vitin e ardhshëm, dhe ne nuk e dimë se çfarë do të bëjë Apple. Nëse vendosin ta shtyejnë prapë, i bie që s’duan të dalin në treg me Will Smithin këtë vit”, deklaroi ajo./UBTNews/

Exit mobile version