UBT News

‘Butësia kontrollon fortësinë’, ekspozita që sjell në art disiplinën e vajzave të xhudos

Të premtën, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare e Kosovës, u hap ekspozita “Butësia kontrollon fortësinë”, një projekt artistik i realizuar nga artistet vizuale Anais Horn dhe Verena Walzl, nën kurimin e Blerta Hoçia. E vendosur në hollin e ekspozitave të bibliotekës, ekspozita ofron një reflektim të ndjeshëm mbi raportin mes butësisë dhe forcës, duke përdorur gjuhën e artit bashkëkohor për të eksploruar tema si identiteti, disiplinë dhe fuqia e brendshme.

Holli kryesor i bibliotekës është transformuar përmes një instalacioni vizual ku fotografi të mëdha, të printuara në materiale transparente, varen lirisht dhe shfaqin vajza të reja që praktikojnë xhudo, sport ky që është bërë një simbol i njohur i suksesit sportiv të Kosovës në vitet e fundit.

Instalacioni vazhdon në dyshemenë e sallës, ku disa monitorë shfaqin video të ushtrimeve të përditshme të vajzave gjatë stërvitjeve. Këto pamje dokumentojnë disiplinën, përkushtimin dhe ritmin e vazhdueshëm të përgatitjes fizike, duke afruar publikun me procesin e padukshëm pas forcës që shfaqet gjatë garës.

Një element i veçantë i ekspozitës është një pasqyrë e gdhendur me fjalët dhe shprehjet që vajzat përdorin gjatë stërvitjeve, duke krijuar një përvojë që ndërthuret me imazhin dhe energjinë e aktivitetit sportiv.

Përmes fotografisë, videos dhe instalacionit, ekspozita nxjerr në pah kontrastin dhe harmoninë mes butësisë dhe forcës, duke treguar se si këto vajza ndërtojnë një formë të veçantë fuqie -një forcë që buron nga disiplinë, kontroll i trupit dhe përkushtim i përditshëm – dhe sfidon stereotipet tradicionale mbi feminitetin dhe fuqinë fizike.

Foto:Flonja Haxhaj

Exit mobile version