Pesë herë kampionët e botës, Brazili, kanë siguruar vendin e parë në Grupin C të Kupës së Botës 2026, pas një fitoreje bindëse 3-0 ndaj Skocisë. Ndeshja e zhvilluar në mesnatën mes të mërkurës dhe enjtes (sipas kohës në Kosovë), përveç dominimit brazilian, solli edhe një moment të shumëpritur: rikthimin e yllit Neymar në fushë pas tre vjetësh mungesë.
Figura qendrore e këtij takimi ishte Vinicius Junior, i cili shkëlqeu duke realizuar dy golat e parë. Sulmuesi i Real Madridit hapi serinë e golave që në minutën e 7-të, ndërsa dyfishoi epërsinë në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë. Me këto dy realizime, Vinicius ka arritur në kuotën e katër golave në këtë Botëror, duke u barazuar me Erling Haaland dhe Kylian Mbappe, dhe duke mbetur vetëm një gol pas Lionel Messit që kryeson listën. Fitoren e “Seleçaos” e vulosi Matheus Cunha në minutën e 60-të për rezultatin përfundimtar 3-0.
Përveç spektaklit të golave, vëmendjen maksimale e mori minuta e 76-të, kur stadiumi “Hard Rock” shpërtheu në ovacione të mëdha për hyrjen në fushë të Neymarit. Sulmuesi 34-vjeçar, i cili është golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit me 79 gola, regjistroi paraqitjen e tij të parë ndërkombëtare që nga viti 2023.
Me këtë sukses, Brazili pozicionohet i pari në grup dhe të hënën do të luajë në Houston në kuadër të 1/32 së finales kundër vendit të dytë të Grupit F.
Në anën tjetër, Skocia, që merr pjesë në një Botëror për herë të parë që nga viti 1998, dështoi të shkruajë historinë për të kaluar fazën e grupeve në tentativën e nëntë. Megjithatë, shpresat e tyre nuk janë shuar plotësisht; me një diferencë golash prej -3, skocezët do të presin në kampin e tyre në Charlotte rezultatet e grupeve të tjera me shpresën për t’u kualifikuar tutje si një nga katër kombëtaret më të mira të vendeve të treta. /E.A/
