Përkundër situatës së krijuar nga Pandemia, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka nisur organizimet në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë.
Me gjithë sfidat e vazhdueshme që solli COVID-19, BQK-ja është e angazhuar në nxitjen dhe ruajtjen e stabilitetit financiar në vend dhe duke pas parasysh se sektori financiar është një ndër kontribuesit kryesorë në ekonominë e Kosovës, Edukimit Financiar po vazhdon t’i kushtojë rëndësi të veçantë.
Përmes punës dhe angazhimit në avancimin e edukimit financiar, qytetarët kanë arritur të përmirësojnë njohuritë e tyre rreth koncepteve ekonomike e financiare, produkteve, shërbimeve, sfidave e rreziqeve, përmes marrjes së informacioneve, zhvillimit të aftësive dhe shprehive të tyre për të bërë zgjedhje të duhura dhe ndërmarrë veprime efektive për të përmirësuar mirëqenien e tyre financiare.
Java Ndërkombëtare e Parasë është një fushatë vjetore globale e ndërgjegjësimit për fëmijë dhe të rinj, në mënyrë që në moshë të hershme të sigurohen, të fitojnë njohuritë, aftësitë, qëndrimet dhe sjelljet e nevojshme për të marrë vendime të duhura financiare. Kjo fushatë apo aktivitet shënohet në mbarë botën nga institucionet financiare, në mënyra të ndryshme, derisa motoja e kësaj Jave, këtë vit është “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë tua”, e cila përmban një mesazh që vjen si ndikim i pandemisë në të gjithat fushat e jetës.
“Ngritja e numrit të rasteve me Covid-19, posaçërisht javët e fundit, ka ndikuar që të ndryshojmë agjendën tonë të paraparë për këtë Javë dhe t’i përshtatemi respektimit të rregullave të përcaktuara për Pandeminë. Sot do të shënojmë hapjen e kësaj Jave me grupe të vogla nxënësish, të cilët do të vizitojnë BQK-në. Të njëjtit kanë marrë pjesë në garën e BQK-së për Ese, me temën e Edukimit Financiar dhe që janë përzgjedhur si Esetë më të mira, për të cilët do të ndajmë disa çmime simbolike. Pastaj do të vazhdohet gjatë javës me ligjërata e aktivitete të tjera virtuale në pamundësi të realizimit të aktiviteteve të parapara. Një aktivitet tjetër për të cilin dëshiroj t’i ftoj nxënësit e shkollave të mesme që të marrin pjesë, është që sot ne kemi shpallur një konkurs për Ese me temën e motos së kësaj Jave ”Kujdesu për veten kujdesu për paratë”, i cili do të qëndrojë i hapur për një muaj, ku tri Esetë më të mira do t’i fitojnë 3 çmime. Qëllimi i këtij konkursi është që të nxitim të rinjtë e shkollave të mesme që të jenë më të informuar e edukuar rreth temave ekonomike e financiare”, ka thënë Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti në lansimin e kësaj jave.
BQK-ja nga viti 2013 është pjesë e këtij organizimi, i cili tashmë drejtohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). BQK organizon ngjarje e aktivitete të ndryshme me qëllim që të ndikojë në nxitjen e fëmijëve dhe të rinjve që të fitojnë njohuri ekonomike e financiare të cilat do t’ju nevojiten gjatë tërë jetës.
Qëllimi i Programit të Edukimit Financiar të BQK-së është që në aktivitetet dhe materialet edukative të përfshijë të gjitha grup-moshat e qytetarëve të Kosovës, megjithatë fokus primar ka nxënësit e të gjitha niveleve të arsimit në Kosovë.
Vlen të përmendet një nga projektet konkrete që ka nisur BQK-ja dhe që lidhet me institucionalizimin e bashkëpunimit reciprok në fushën e edukimit financiar që vjen pas nënshkrimit të memorandumit me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në tetorin e vitit të kaluar.
“Po ashtu jemi dakorduar për mundësinë e përfshirjes së edukimit financiar në kurrikulën shkollore dhe konkretisht kemi përgatitur koleksionin prej 5 librash për klasat e I deri V, i cili planifikohet të shpërndahet posa të na lejojnë kushtet e pandemisë dhe do të mësohen në kuadër të lëndës “Shkathtësi për jetë”. Përfshirja e edukimit financiar në kurrikulën zyrtare shkollore njihet si një nga mënyrat më efikase, të qëndrueshme, afatgjate dhe të duhura për të arritur që njohuritë dhe shkathtësitë financiare, të mësohen nga një gjeneratë e tërë dhe në nivel vendi. Po ashtu kemi një numër projektesh në proces, për të cilat do të informoheni me kohë, të cilat konsideroj që do të kontribuojnë në të mirën e qytetarëve dhe në marrjen e vendimeve të duhura financiare kundrejt produkteve dhe shërbimeve financiare. Gjithashtu, dua t’ju informoj që të gjitha aktivitetet materialet dhe konkurset në vazhdimësi i promovojmë edhe në faqen zyrtare apo në rrjetet sociale të BQK-së, andaj i ftoj fëmijët, nxënësit dhe të rinjtë që të na përcjellin qoftë përmes tyre”, ka thënë tutje Guvernatori Mehmeti.
BQK organizoi një ngjarje me rastin e hapjes së Javës së parasë për vitin 2021, ku ndau çmimet për nxënësit fitues të garës për Esenë më të mirë për Edukim Financiar. Konkursi ka qenë i dedikuar për nxënësit e shkollave fillore, konkretisht klasa VI deri IX dhe janë ndarë gjithsej 10 çmime. Nxënësit fitues të këtyre çmimeve janë si ne vijim:
Çmimi i parë: Qëndresa Peci, klasa: VIII, SHFMU “Isa Boletini”, Boletin ,Zveçan; Çmimi i dytë: Erona Peci, klasa: VIII, SHFMU “Isa Boletini”, Boletin, Zveçan; Çmimi i tretë: Erina Musliu, klasa IX/4, SHFMU “Mihal Grameno”, Fushë Kosovë; Çmimi i katërt: Enda Imeri, klasa VIII/1, SHFMU “Ibrahim Rugova”, Podujevë, Çmimi i pestë: Erdonit Jusufi, klasa VII, SHFMU “Dëshmorët e Kombit”, Lagjja Malësia, Kamenicë; Çmimi gjashtë: Adora Alidemaj, Klasa VIII B, Shkolla ISP (International School of Prishtina), Prishtinë, Çmimi i shtatë: Era Xërxa, klasa VII/2, SHFMU “Eqrem Çabej”, Mitrovicë, Çmimi i tetë: Ema Boqolli, klasa VII/3, SHFMU “Asdreni”, Pejë, Çmimi i nëntë: Hena Perjuci, klasa VIII/1, SHFMU “Eqrem Çabej”, Mitrovicë, Çmimi i dhjetë: Etrid Thaçi, klasa IX, SHFMU “Metush Krasniqi”, fshati Rogoçicë, Kamenicë.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në kuadër të edukimit financiar dhe me qëllim të shënimit të Javës Ndërkombëtare të Parasë, fton nxënësit e shkollave të mesme të Kosovës, të marrin pjesë në konkursin për esenë më të mirë në fushën e financave dhe ekonomisë.
Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Parasë, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka hapur konkursin për esenë më të mirë në fushë e financave dhe ekonomisë.