UBT News

Bllokohen fondet e Kosovës: Më shumë se 3.600 nxënës shqiptarë në Luginë nisin vitin pa libra falas

Më shumë se 3.600 nxënës shqiptarë të shkollave fillore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë e kanë nisur vitin e ri shkollor pa librat falas të siguruar nga Qeveria e Kosovës, si pasojë e bllokimit të fondeve nga autoritetet e Serbisë.

Sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, mjetet financiare të ndara nga Prishtina zyrtare po mbahen të bllokuara nga institucionet serbe dhe nuk po lejohet transferimi i tyre te KKSH-ja. Bllokada po ndodh përkundër faktit se bëhet fjalë për tekste shkollore që tashmë janë të aprovuara zyrtarisht nga vetë Ministria e Arsimit e Serbisë.

Kjo situatë vjen pas vitit të kaluar shkollor, kur për nxënësit shqiptarë u siguruan mbi 35 mijë libra në gjuhën shqipe të shpërndarë në 15 shkolla fillore. Përveç bllokimit të mjeteve për arsimin fillor, problemet vijojnë edhe në nivelin e mesëm, ku deri më tani nuk është aprovuar asnjë tekst shkollor në gjuhën shqipe sipas planprogrameve bashkëkohore. /E.A/

Exit mobile version