UBT News

Billie Eilish publikon albumin e dytë

Këngëtarja Billie Eilish ka publikuar albumin e saj të dytë, “Happier Than Ever”.

Ylli i hitit “Bad Guy” e ka bërë publik lajmin nëpërmjet postimit në Instagram të një fotografie nga albumi dhe me një mbishkrim të gjatë.

Ajo e ka cilësuar krijimin e albumit si “përvoja më përmbushëse, më e kënaqshme dhe më e thellë” dhe e ka falënderuar bashkëpunëtorin dhe vëllanë e saj, Finneas.

“’Happier Than Ever’, albumi im i dytë më në fund ka dalë. As nuk mund ta konceptoj. Ishte përvoja më përmbushëse dhe më e thellë që kam pasur ndonjëherë me muzikën time. Unë dhe Finneas ishim në qiellin e shtatë teksa po e bënim këtë album. Më pëlqen shumë çdo këngë në këtë projekt, aq shumë sa më frikëson që ta shpërndaj me botën. Më vjen për të qarë”, ka shkruar këngëtarja.

“Jam rritur shumë gjatë procesit të krijimit të këtij albumi dhe pata shumë vetëreflektim. Do të doja të kthehesha dhe ta bëja këtë album edhe një herë, sepse ishin disa nga netët më të mira të jetës sime”. “Të dua @finneas, faleminderit për njeriun që je. Nuk mund të kërkoja një vëlla dhe bashkëpunëtor më të mirë, ti je e gjithë bota ime dhe nuk mund të bëja asgjë pa ty. Gjithsesi, jam shumë e emocionuar dhe në siklet dhe blaaah… të lutem kujdesuni për këtë projekt, është bota për mua. NUK MUND TË BESOJ”.

Publikimi i albumit të ri vjen pasi Billie ka treguar se do të paraqitet në një emision special në BBC TV. Është konfirmuar po ashtu se ylli i popit do të debutojë në “BBC Radio 1 Live Lounge” në po atë mbrëmje. Në programin televiziv, Eilish do të intervistohet nga DJ Clara Amfo rreth ngritjes së saj meteorike në një yll dhe model për të gjithë.

“Në një emision special të xhiruar në shtëpinë e Billiet në Los Angeles, DJ Clara Amfo nga ‘BBC Radio’ do të flasë me Billien rreth albumit të saj të radhës ‘Happier Than Ever’”, thuhet në një njoftim të agjencisë.

Këngëtarja gjithashtu do të flasë “për ngritjen e saj të jashtëzakonshme” dhe “do ta rishikojë suksesin e saj të madh, ndikimin që ka pasur në jetë dhe rolin e saj si frymëzim për të gjithë të rinjtë në botë”.

Exit mobile version