UBT News

Besimtarët myslimanë nisin muajin e shenjtë të Ramazanit

Besimtarët myslimanë kanë nisur muajin e shenjtë të Ramazanit, një periudhë e përkushtimit, agjërimit dhe reflektimit shpirtëror që zgjat 30 ditë. Me faljen e namazit të parë të teravisë, në shumë qytete u regjistrua pjesëmarrje e madhe e besimtarëve, të cilët mbushën xhamitë, ndërsa në disa vende u falën edhe në oborre dhe hapësira përreth për shkak të numrit të lartë të pjesëmarrësve.

Në të gjitha xhamitë e Kosovës u fal namazi i teravisë së parë me prani të madhe të besimtarëve, duke shënuar kështu fillimin zyrtar të muajit të Ramazanit.
Në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, e njohur si “Sulltan Mehmet Fatih”, një numër i madh besimtarësh u mblodhën për të falur namazin e jacisë dhe më pas teravinë.

Ramazani konsiderohet një nga muajt më të rëndësishëm në kalendarin islam, gjatë të cilit besimtarët agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit, duke iu përkushtuar lutjes, bamirësisë dhe afrimit me Zotin. Përveç dimensionit fetar, ky muaj thekson edhe solidaritetin, ndihmën ndaj nevojtarëve dhe forcimin e lidhjeve familjare e shoqërore.

Institucionet fetare kanë bërë thirrje për mirëkuptim, respekt dhe ruajtje të vlerave që simbolizon ky muaj i shenjtë, duke uruar që Ramazani të sjellë paqe, shëndet dhe begati për të gjithë.

 

Exit mobile version