Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka dënuar ashpër sulmet brutale ruse gjatë natës mbi Kiev dhe ka paralajmëruar se do të propozojë menjëherë sanksione të reja ekonomike dhe ushtarake ndaj Moskës.
Masat e reja ndëshkuese do të shënjestrojnë direkt kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë, me fokus të veçantë te firmat që prodhojnë pjesë për dronët vetëvrasës “Shahed” dhe “Geran”, të cilët po përdoren për të shkatërruar qytetet ukrainase.
Kallas deklaroi prerazi se vetëm fjalët nuk do t’i ndalin sulmet ndaj Kievit dhe se kjo mund të arrihet vetëm përmes mbështetjes së vazhdueshme ushtarake për Ukrainën dhe presionit në rritje ndaj Moskës.
Ndërkohë, Forcat Ajrore të Ukrainës kanë përditësuar bilancin e këtij sulmi, duke shpërfaqur përmasat e një prej goditjeve më masive ajrore të regjistruara deri më tani. Sipas të dhënave zyrtare, Rusia lëshoi 74 raketa dhe 496 dronë kamikazë.
Përkundër faktit që njësitë e mbrojtjes ajrore ukrainase arritën të rrëzonin shumicën dërrmuese të mjeteve fluturuese, 25 raketa balistike dhe 12 dronë depërtuan sistemin mbrojtës duke goditur 33 lokacione të ndryshme. Si pasojë e këtyre goditjeve, të paktën 17 persona kanë mbetur të vrarë.
Nga ana tjetër, kërcënimet e Brukselit për sanksione të reja nuk e kanë zmbrapsur Moskën zyrtare. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i është përgjigjur drejtpërdrejt deklaratës së Kallas duke konfirmuar se Rusia do të vazhdojë të rrisë presionin ushtarak ndaj asaj që ai e quajti “regjimi i Kievit”.
Peskov deklaroi me ftohtësi se ky presion do të vazhdojë në mënyrë që shteti rus të arrijë të gjitha objektivat e përcaktuara të luftës. /E.A/
