UBT News

BE: Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara bien ndesh me detyrimet e Kosovës

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj ligjit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se këto ndryshime bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.

Në një deklaratë me shkrim, BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që të respektojë detyrimet e saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë e Dhomave të Specializuara, si dhe llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

BE-ja ka theksuar gjithashtu se duhet të garantohen mbrojtja dhe siguria e dëshmitarëve.

Ky reagim vjen një ditë pasi Bashkimi Evropian shprehu shqetësim të thellë lidhur me votimin në Kuvend.

Zëdhënësi i BE-së, Christian Wigand, ka shpjeguar se reagimi erdhi pas miratimit përfundimtar të ligjit, pasi BE-ja, sipas tij, nuk komenton projektligjet gjatë fazave të leximit, por vetëm vendimet dhe ligjet e miratuara përfundimisht.

Bashkimi Evropian ka përsëritur mbështetjen për punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion i pavarur gjyqësor dhe ka kërkuar që mandati dhe pavarësia e tyre të respektohen plotësisht.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës po vendosin drejtësi, bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale penale”, thuhet në deklaratën e BE-së.

D.L

Exit mobile version