UBT News

BBC: “Kosova në eufori” – Ndeshja me Turqinë konsiderohet dita më e madhe që nga Pavarësia

Mediumi prestigjioz britanik, BBC, i ka kushtuar një vëmendje të jashtëzakonshme përballjes së sontme të “Dardanëve”, duke e cilësuar rrugëtimin e Kosovës si një histori suksesi që ka lënë pa fjalë botën e futbollit.

Nga izolimi te pragu i Botërorit

BBC shkruan se vetëm dhjetë vjet më parë, Kosova nuk kishte luajtur asnjë ndeshje kualifikuese, ndërsa sot gjendet vetëm 90 minuta larg pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror 2026. Ky progres cilësohet si “i pabesueshëm” për një komb që u njoh nga FIFA dhe UEFA vetëm në vitin 2016.

“Fadil Vokrri” i vogël për ëndrrën e madhe

Në artikull citohet përzgjedhësi Franco Foda, i cili tregon për kërkesën e çmendur të tifozëve për të qenë të pranishëm në stadiumin e kryeqytetit:

“Kemi një stadium vetëm për 13,000 spektatorë, por po të ishte e mundur, do të ishin 100,000. Të martën kemi një lojë historike. Jemi në eufori, por duhet të luajmë me qetësi,” ka thënë Foda për BBC.

Më shumë se futboll: Pesha historike

Për shumë kosovarë, kjo ndeshje tejkalon sportin. Analisti Arben Berisha, në një prononcim për BBC-në, ka theksuar rëndësinë kombëtare të këtij momenti:

“Disa e kanë quajtur të martën ditën më të madhe në historinë e Kosovës që kur u shpall pavarësia në vitin 2008. Kjo mund të jetë dita e tretë historike: Çlirimi në 1999, Pavarësia në 2008 dhe tani kualifikimi në Botëror.”

Rrugëtimi i vështirë dhe krenaria kombëtare

BBC ka biseduar edhe me ish-kapitenin Anel Rashkaj, i cili kujton kohërat kur lojtarët duhej të luftonin me klubet e tyre vetëm për t’u lejuar të veshin fanellën e Kosovës:

“Kemi kaluar kohë shumë të vështira me luftën dhe problemet ekonomike. Kombëtarja u ka dhënë këtyre njerëzve ndjenjën se jemi të fortë, se mund të bëjmë emër në Evropë. Na bën krenarë që njerëzit shohin se kosovarët kanë shumë për t’i dhënë botës,” u shpreh Rashkaj.

 

Exit mobile version