UBT News

Basketbollistet e Kosovës të etura për sukses në arenën ndërkombëtare

Kosova A (femrat) pritet të marrë pjesë në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla, që do të organizohet në vitin e ardhshëm në Nicosia të Qipros prej 15 deri më 20 Qershor.

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës, detyrën e përzgjedhësit ia ka besuar Fidan Shatrit, i cili më herët ka qenë përzgjedhës i Kosovës U16, U18, U20 te femrat, derisa tani edhe i Kosovës A (femrat).

Shatri ka fituar pesë trofe me KBF Prishtinën dhe për vite të tëra ka punuar në basketbollin e femrave në Kosovë.

Në një intervistë për faqen zyrtare të FBK-së, ai flet për formimin e Kosovës A te femrat, pjesëmarrjen në garat ndërkombëtare dhe synimet.

Sa është e rëndësishme formimi i Kosova A (Femrat)?

Fidan Shatri: Formimi i Përfaqësues A të femrave është shumë i rëndësishëm, sepse vashat tona fitojnë përvojë në garat ndërkombëtare dhe kemi mundësi të shohim se në çfarë niveli jemi në krahasim me vendet tjera. Gjithashtu është një motivim për lojtaret e reja, që të ‘luftojnë’ për 12-shen më të mirë të Kosovës, sepse deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Sa ka rëndësi pjesëmarrja në garat ndërkombëtare?

Fidan Shatri: Në garat ndërkombëtare basketbollistet e Kosovës do të fitojnë përvojë, që do të ju ndihmoj shumë atyre në të ardhmen. Është shumë e rëndësishme të përfaqësosh shtetin tënd në garat ndërkombëtare. Besoj se do të japim maksimumin tonë në çdo paraqitje në arenën ndërkombëtare.

Sa ndihmon kjo basketbollin e femrave në Kosovë?

Fidan Shatri: Për të gjitha lojtaret është një motivim shumë i madh, në mënyrë që të luajnë për Kosovën A. Shumë gjenerata kanë ëndërruar për këtë ditë që të luajmë në arenën ndërkombëtare, ndërsa ne do të kemi fatin që të prezantojmë vendin në vitin e ardhshëm. Mendoj se edhe për vashat e Kosovës është një motivim i madh që të luajnë për Kosovën A. Ato e dinë rëndësinë dhe besoj se do të japin maksimumin.

Ku do të jetë fokusi juaj?

Fidan Shatri: Ne do të mundohemi të kemi paraqitje sa më të mira. Sigurisht se nuk do të jetë lehtë për shkak se, është hera e parë. Do të mundohemi të krijojmë një ekip, me lojtare me përvojë, por edhe me ato më të reja në moshë që premtojnë shumë në të ardhmen. Kemi disa basketbolliste që luajnë jashtë Kosovës, që mund të grumbullohen, por edhe nga Superliga e Femrave.

Cilat janë synimet?

Fidan Shatri: Qëllimi ynë është të krijojmë një skuadër për të ardhmen. Na mungon përvoja në gara të tilla, por sigurisht se nuk do të luajmë me flamur të bardhë. Synimet janë të fitojmë përvojë, por edhe për paraqitje dinjitoze në garat ndërkombëtare. Besoj se angazhimi do të jetë maksimal nga të gjithë, sepse dëshira është e madhe për të pasur sukses në arenën ndërkombëtare.

Në FIBA Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla-Femrat në vitin 2020 janë paraqitur për të garuar: Andorra, Qipro, Gjibraltari, Irlanda, Luksemburgu, Malta dhe Norvegjia, por që u anulua për shkak të pandemisë Covid-19. Regjistrimi i shteteve për pjesëmarrje në FIBA Kampionate Evropiane në FIBA Europe do të bëhet si zakonisht, pra ndërmjet muajve Shtator/Tetor 2020.

FIBA Evropa ka kërkuar nga të gjitha Federatat Nacionale që të regjistrojnë ekipet e tyre për vitin 2021, pasi regjistrimet e paraqitura për vitin 2020 nuk do të merren parasysh.

Exit mobile version