Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha njofton se PD do të propozojë ndryshimin e Kodit Penal, në përputhje me Kodin Penal italian (n. 416 ter), duke ashpërsuar dënimet për këdo që kryen krime zgjedhore.
Përmes një shënimi në Twitter, Basha paraqet edhe 4 pikat që do të propozojë PD:
“Krahas vettingut në politikë, me qëllim dhënien fund njëherë e mirë lidhjeve të botës së krimit me politikën, PD do të propozojë ndryshimin e Kodit Penal, në përputhje me Kodin Penal italian (n. 416 ter), duke ashpërsuar dënimet për këdo që kryen krime zgjedhore.
- Kushdo që pranon drejtpërdrejtë apo nëpërmjet ndërmjetësve, premtimin për të fituar vota nga elementë të krimit të organizuar, në shkëmbim të parave apo favoreve të tjera, dënohet me 15 vite burg.
- I njëjti dënim parashikohet edhe për elementët e krimit të organizuar që kanë dhënë premtime të tilla, apo këdo tjetër që rezulton i përfshirë.
- Nëse politikani, i përfshirë në një skemë të tillë, zgjidhet, ai dënohet me 22 vite burg.
- Politikanit dhe kujtdo që përfshihet në veprimtari të tilla i ndalohet përjetësisht ushtrimi i funksioneve publike.
Qeverisja dhe fatet e shqiptarëve nuk mund të diktohen nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Partia Demokratike do të bëjë gjithçka që zëri i qytetarëve shqiptarë të dëgjohet dhe vullneti i tyre të respektohet”, shkruan Basha./TopChannel