UBT News

Basha akuzon qeverinë se fshehu vdekjet nga Covid: Zoti na ruajt! Deri para 6 muajsh ishin plot 16 mijë viktima

Nga foltorja e Kuvendit, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi qeverinë dhe ministrinë e  Shëndetësisë se kanë manipuluar  shifrat e jetëve të humbura si pasojë e koronavirusit në vendin tonë në raport.

Sipas tij, institucionet ndërkombëtare japin të tjera të dhëna. Dhe këtu Basha citoi raportin e KE, sipas të cilit “Shqipëria ka shtesën më të lartë të vdekjeve në Europë për vitin 2020”.

Basha: Këto ditë është diskutuar në komisione, nga përfaqësuesit e opozitës për vaksinimin, e diferencën mes shifrave të raportuara nga qeveria dhe të raportuara nga institucione ndërkombëtare. Si në traditën më të keqe të kësaj qeverie, ajo që thuhet nuk bëhet. Kjo s’është hera e parë që ndodh e as hera e parë që gënjejnë me pandeminë, se ju e dini qytetarë që kanë gënjyer për ndihmën ekonomike, rimbursimin e të prekurve, tenderat abuzivë në kohë pandemie të veshura me sekretin shtetëror, për të cilat këndellet në gjumë SPAK e prokuroria, kanë gënjyer për numrin e jetëve të humbura, që deri para 6 muajsh ishin plot 16 mijë prindër, nëna, baballarë që dergjen sot në vendprehjet e qyteteve e fshatrave të vendit tonë e nuk ndodhen më në shtëpitë e të dashurve që i kanë humbur. Jo shifra rrenacake raportur nga qeveria e rrenave,këtë nuk e themi ne packa se e paralajmëruam, këtë e konfirmon raporti i KE ku thuhet që Shqipëria ka shtesën më të lartë të vdrkjeve nëEuropë për vitin 2020.

Basha përmendi edhe paralajmërimin e kryeministrit për rritje të çmimit të energjisë kur shpalli në vend krizën energjetike.

Basha: Kur të dielën që shkoi deklaroi “se do ia dalim siç ia dolëm me pandeminë”, Zoti na ruajt, ajo fjali triumfaliste që s’kishte asnjë lidhje me të vërtetën tingëlloi si shuplakë, si një të pështyrë në fytyrën e qytetarëve të këtij vendi, ndërkohë që Rama shfaqej në ekrane për të mbushur me dokrra gënjeshtra e aktrim boshllëkun që krijoi mugnesa e ndihmës reale.

Teksa akuzoi Ramën  se për interesat e një grushti të vogël njerëzit ka shkatërruar interesat e qytetarëve, Basha tha se kryeministrit i duhet një krizë tjetër për të mbuluar dështimin me pandeminë.

Basha: Mesatarisht 1000 dollarë për tampon, ilaçe e oksigjen, ndërkohë që skema e rimbursimit dështoi, duke mos lehtësuar barrën e rëndë të pandemisë, dhe në fund të Europës e la vendin edhe për masat gjysmake, se ndërkohë që bizneset mbylleshin, ky pushtet që përparësi ka PPP, tendera sekret, na lanë pas edhe vende më të vogla që disbursuan 2-3 paketa ndihmëse për qytetarët e tyre, jo më larg se një javë më parë vendosi që të mbështese me 1500 euro familjet që kanë humbur një anëtarë nga COVID, kjo nuk kompenson humbjen e njeriut, por tregon diferencën mes një qeveria që fsheh jetët e humbura dhe një tjetre që kërkon që t’u gjendet pranë, por këta nuk e bëjnë dot këtë se për t’u dhënë para duhet që t’ia heqin vetes, dhe në vend që të kërkojnë ndjesë për jetëve e humbura, për braktisjen e interesit publik për interesat e një grushti njerëzish, fryhen si gjeli në majë të koncesioneve korruptive. Gogoli i 8 viteve doli për të trembur qytetarët, tellai u ra daulleve dhe justifikimit për mprehjes  sëpatës që po e vendos në qafën e shqiptarëve. Po cila ishte nevoja që të dilte në një zyrë të dekoruar shtrenjtë për treguar pasojat në tregjet ndërkombëtare që prek pak shqiptarët, i lypset një krizë për të mbuluar dështimin, keqmenaxhimin e pakicës që drejton me votat e vjedhura të masakrës zgjedhore”, tha Basha.

Në seancën e sotme plenare po diskutohet akti normativ për marrëveshjen për blerje vaksinash nga Pfizer.

Exit mobile version