UBT News

Barcelona synon përforcime në mbrojtje në janar: Josko Gvardiol dhe Jonathan Tah në listën e dëshirave

Barcelona po shqyrton mundësinë e përforcimit të repartit defensiv gjatë afatit kalimtar të janarit 2027, duke vënë në shënjestër mbrojtësin e Manchester Cityt, Josko Gvardiol, dhe atë të Bayern Munichut, Jonathan Tah.

Sipas raportimeve të së përditshmes spanjolle AS, drejtori sportiv Deco ka eksploruar mundësitë për afrimin e të dy futbollistëve, ndërsa trajneri Hansi Flick ka dhënë dritën e gjelbër për një përforcim në këtë repart, nëse e lejojnë kushtet financiare. Megjithatë, pengesa kryesore për katalanasit mbetet nevoja për të krijuar fillimisht hapësirë në kufirin e pagave para se të veprojnë në treg.

Josko Gvardiol është një nga lojtarët më të pëlqyer nga Deco, pasi 24-vjeçari kroat mbulon me sukses si qendrën e mbrojtjes ashtu edhe krahun e majtë — dy pozicione ku Barcelona kërkon alternativa. Katalanasit kishin kërkuar informacione për të te Manchester City gjatë bisedimeve të zhvilluara për çështjen e Rodrit, por operacioni vlerësohet tejet i vështirë, pasi kampioni anglez nuk ka dhënë asnjë sinjal se është i gatshëm ta lërë të lirë.

Alternativa tjetër në listën e klubit spanjoll është qendërmbrojtësi gjerman Jonathan Tah, për situatën e të cilit Barcelona ka kërkuar informacione në prag të merkatos dimërore, raporton Sky Sport Germany. 30-vjeçari ishte synim i katalanasve edhe në vitin 2025 pas mbylljes së kontratës me Bayer Leverkusenin, por zgjodhi t’i bashkohej Bayern Munichut, me të cilin është i lidhur deri në qershor të vitit 2029.

Ndonëse gjatë këtij sezoni Tah ka pasur minutazh të luhatshëm për shkak të rotacionit të trajnerit Vincent Kompany me Dayot Upamecanon dhe Kim Min-jae, ai mbetet pjesë e planeve të bavarezëve. Sipas raportimeve nga Gjermania, Bayerni nuk e shqyrton largimin e tij dhe as vetë lojtari nuk ka shprehur dëshirë për t’u larguar, ndërsa gazeta BILD shton se pavarësisht kontakteve me rrethin e futbollistit, ende nuk ka një kërkesë zyrtare nga ana e Barcelonës.

 

Exit mobile version