UBT News

Barcelona, Liverpool dhe Bayern München sigurojnë çerekfinalen e Champions League

Mbrëmja e fundit e raundit të 16-tave në Champions League ka përcaktuar tetë skuadrat më të mira të Evropës, me Barcelonën që dhuroi një spektakël të vërtetë golash.

Katalanasit shkatërruan Newcastle United me rezultatin e thellë 7-2 në “Camp Nou”, duke kaluar tutje me rezultat të përgjithshëm 8-3. Robert Lewandowski dhe Raphinha ishin protagonistët kryesorë me nga dy gola secili, ndërsa listës së realizatorëve iu bashkuan edhe Lamine Yamal, Marc Bernal dhe Fermín López. Kjo fitore e rëndësishme rikonfirmon formën e lartë të ekipit të drejtuar nga Hansi Flick në garën më të rëndësishme për klube.

Në sfidat e tjera, Liverpooli arriti të përmbysë gjithçka kundër Galatasaray-t, duke fituar 4-0 në “Anfield” dhe duke harruar humbjen e ndeshjes së parë në Turqi.

Mohamed Salah shënoi golin e tij të 50-të në këtë garë, duke udhëhequr ekipin drejt kualifikimit.

Ndërkohë, Bayern München nuk lejoi befasi ndaj Atalantës, duke fituar 4-1 dhe duke e mbyllur këtë fazë me shifrën mbresëlënëse prej dhjetë golash të shënuar në dy ndeshje.

Pavarësisht humbjes 3-2 mbrëmë ndaj Tottenhamit, Atlético Madrid siguroi kalimin tutje falë avantazhit të krijuar në takimin e parë.

Me përfundimin e këtyre takimeve, tashmë janë konfirmuar të gjitha skuadrat çerekfinaliste. Së bashku me Barcelonën, Liverpoolin, Bayernin dhe Atléticon, në fazën tjetër do të jenë edhe Real Madrid, Paris Saint-Germain, Arsenal dhe Sporting CP.

Shorti për fazën e çerekfinaleve do të hidhet së shpejti, ku pritet të përcaktohen përballje akoma më intensive që do të luhen gjatë muajit prill.

 

Exit mobile version