Sali Berisha, në daljen e tij para mediave, foli edhe për nismën “Ballkani i Hapur”, të cilën e quajti nismë destabilizuese për një rajon delikat politikisht.
“Garantoj komunitetin ndërkombëtar se Ballkani i Hapur është nismë destabilizuese sepse Ballkani është delikat politikisht dhe nuk ka nevojë që të nxisim kundërshtira apo përçarje. Këta kanë nisur që në Novi Sad me dogmën e kamionit që pret 1100 vjet. Askush nuk është kundër lëvizjes së lirë të mallrave, por vetë Presidenti Donald Trump i rishqyrtoi një nga një traktatet tregtare sepse ato duhen bërë mbi bazën e modelimit të shkëmbimit të mallrave. Nëse Serbia subvencionon 50 euro për lopë dhe Shqipëria nuk subvencionon as 50 cent, vetëkuptohet që qumështi në Serbi del shumë më i lirë dhe fermeri i Lushnjës nuk përballet dot kurrë me fermerin serb”, tha Berisha.
“Pra, gjithçka duhet bërë me kuota dhe modelim. Siç e bëjnë këta, kjo nismë do të përfundojë si flakë kashte”, shtoi Berisha.