UBT News

Ballkani historik, regjistron fitoren e parë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës

Kampioni i Kosovës, Ballkani ka arritur sot të shkruajë historinë përsëri, ku është bërë skuadra e parë vendore e cila ka regjistruar një fitore në fazën e grupeve të një gare evropiane.

Ballkani e ka mposhtur si mysafir skuadrën e Sivassporit, fitore kjo e para në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Pas plot 98 minutave lojë të zhvilluara, në stadiumin “Yeni 4 Eylül” janë shënuar shtatë gola në ndeshjen mes Sivassporit e Ballkanit, ku ky i fundit mposht skuadrën turke me shifrat 4:3.

Fillimisht, rezultatin e zhbllokoi Fredrik Ulvestad, i cili qysh në minutën e parë të kësaj përballje kalon vendasit në epërsi prej 1:0.

Ndërkaq, Ballkani u rikthye në lojë përmes super golit të Armend Thaqit, i cili barazoi shifrat në 1:1 në minutën e 20’ të ndeshjes.

Por, suharekasit nuk u ndalën me kaq, ku edhe e përmbysën rezultatin kundër Sivassporit përmes golit të Arbër Potokut, i cili kalon Ballkanin në epërsi prej 2:1 në minutën e 31’.

Pjesën e dytë e nisi më mirë kampioni kosovar, ku e gjeti edhe golin e tretë të ndeshjes përmes Meriton Korenicës në minutën e 66’.

Ndërkaq, nëntë minuta më vonë, saktësisht në minutën e 75’, Sivasspori e gjeti golin e dytë të ndeshjes përmes Erdogan Yesilyurt, kurse ky i fundit e barazoi rezultatin në 3:3 për vendasit në minutën e 90+1’ shtesë.

Heroi i ndeshjes së sotme për Ballkanin ishte Ermal Krasniqi, i cili ia siguroi tre pikët e plota skuadrës së tij duke shënuar golin e fundit të ndeshjes, dhe të katërtin për Ballkanin në minutën e 90+4’ shtesë.

Me pikët e reja, Ballkani tani zë vendin e dytë në Grupin G me katër pikë të arkëtuara, aq sa ka edhe Sivasspori në vendin e tretë.

Rezultati final është 4:3 në favor të Ballkanit.

Exit mobile version