Në Taranto të Italisë po mbahet sot Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), një ngjarje me rëndësi të veçantë për Kosovën sa i përket ecurisë së organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Përgjatë punimeve të asamblesë, ku pritet edhe zgjedhja e presidentit të ri për mandatin e ardhshëm, ministra dhe drejtues të sportit kosovar do të marrin pjesë aktivisht në diskutimet për të ardhmen e këtij kompeticioni. Ministri në detyrë i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, do të raportojë para përfaqësuesve të komiteteve olimpike dhe drejtuesve të ICMG-së për punën e bërë deri më tani dhe hapat e ardhshëm infrastrukturorë e organizativë.
Ky prezantim shihet si një mundësi kyçe për të informuar udhëheqësinë e re të ICMG-së mbi ecurinë e projektit, duke dëshmuar kapacitetet e Kosovës për të pritur një ngjarje madhore ndërkombëtare sportive. /E.A/
