Olimpiada Kulturore ka një histori mbi një shekull. Por çfarë është saktësisht, nga e ka origjinën dhe si ka evoluar?
Olimpiada Kulturore ka një histori të gjatë, filluar nga një vizion i Baroni Pierre de Coubertin në vitet 1890 për të rivendosur traditën e lashtë greke të festimeve katërvjeçare të atletikës dhe arteve. Këto festime, të njohura si Lojërat e Lashta, u mbajtën në Olimpia nga viti 776 para Krishtit deri në vitin 395 pas Krishtit, duke shërbyer si një platformë për të sjellë së bashku atletë, filozofë, studiues, poetë, muzikantë, skulptorë dhe udhëheqës të tjerë të artit dhe kulturës.
Coubertin, një edukator dhe historian francez, mendonte se ky bashkëveprim midis artit dhe sportit ishte “fryma e olimpizmit”, dhe në vitin 1894 ai themeloi Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), duke çuar në organizimin e lojërave të para moderne në Athinë në vitin 1896. Megjithatë, vetëm në vitin 1912, në Stokholm, ëndrra e Coubertin për të bashkuar artin me atletikën u bë realitet me konkursin e artit në kuadër të Lojërave Olimpike. Ky ishte fillimi i Olimpiadës Kulturore si e njohur sot.
Në periudhën nga viti 1912 deri në vitin 1948, Olimpiada Kulturore përfshinte konkurse arti brenda Lojërave Olimpike, duke dhënë medalje në arkitekturë, letërsi, muzikë, pikturë dhe skulpturë për vepra të frymëzuara nga tema të lidhura me sportin. Megjithatë, me kalimin e kohës, formati i Olimpiadës Kulturore ka ndryshuar. Sot, ajo përfshin një sërë ngjarjesh kulturore që shkojnë paralelisht me Lojërat Olimpike, duke e bërë vendin pritës të shfaqet si një qendër kulturore dhe krijuese.
Në vitin 2012, Londra u shënua si një pikë kulmore për Olimpiadën Kulturore, duke shfaqur një ekstravagancë masive kulturore që shënoi një festë mbarëkombëtare të krijimtarisë, duke përfshirë mbi 170,000 ngjarje dhe mbi 40,000 artistë nga të gjitha anët e botës.
Në Francë, përgatitjet për Lojërat Olimpike të Parisit 2024 janë në kulmin e tyre, dhe përpara kësaj ngjarjeje të madhe, vendi është në një shfaqje të vërtetë të kombinimit të artit, kulturës dhe sportit. Muzeu i Luvrit, një nga institucionet më të njohura kulturore në botë, ka hapur dyert e tij për të pritur pjesëmarrësit në një mënyrë të re dhe unike. Programi “Vraponi në Luvër” ofron sesione të yoga-s dhe stërvitjes në ambientet e tij të mrekullueshme artistike. Duke e kombinuar artin e vjetër me aktivitetet e reja fizike, ky program ofron një përvojë të pazakontë për vizitorët.
Ndërkaq, në stadiumin e përkohshëm në Place de la Concorde, spektatorët kanë mundësinë të shijojnë shfaqje emocionuese të sporteve si skateboarding dhe breakdancing, duke sjellë një atmosferë tërheqëse dhe energjike në qendër të Parisit. Poashtu, Petit Palais po prezanton një ekspozitë të veçantë me titullin “Le corps en mouvement” (Trupi në lëvizje), duke sjellë në vëmendje lidhjen midis artit dhe sportit. Me 50 vepra të ndryshme artistike, ekspozita shfaq temat e lëvizjes dhe atletizmit nëpërmjet pikturës, skulpturës dhe arteve të tjera pamore.
Përtej kryeqytetit, bazilika e katedrales së Saint-Denis dhe Muzeu Regards de Provence në Marsejë ofrojnë ekspozita të veçanta që i fokusohen temave të sportit dhe artit. Në Saint-Denis, ekspozita “La Trêve” ofron një përvojë të pasur kulturore me portrete, afreske dhe kostume të frymëzuara nga historia e Lojërave Olimpike. Ndërsa në Marsejë, ekspozita “Surfing the wave” shpalos ndikimin e sërfit dhe sporteve të bordit në krijimin e artit bashkëkohor.
Këto ngjarje dhe ekspozita shërbejnë si shembuj i shumëllojshmërisë dhe pasurisë së kulturës dhe artit francez, duke përcjellë frymën e Lojërave Olimpike dhe bashkëndjenjes së artit dhe sportit në një harmoni të vërtetë kreative.
©️Përktheu dhe përshtati nga Euronews, Dionesa Ebibi