Në një moment historik që shënon ardhjen e një epoke të re në artin botëror, portreti i Alan Turingut, realizuar nga roboti humanoid artist Ai-Da, u shit në ankand për shifrën rekord prej 1,084,800 dollarësh (1 milion euro). Veprës së titulluar A.I. God, e cila përshkruan figurën legjendare të babait të shkencës kompjuterike moderne, i paraprinë 27 oferta konkurruese në ankandin prestigjioz të Sotheby’s, duke kapërcyer ndjeshëm pritshmëritë fillestare.
Ankandi jo vetëm që e ngre në piedestal Ai-Da-n, si robotin e parë humanoid artist që shet një vepër arti në një shtëpi të njohur ankandesh, por edhe shenjon një “frontierë të re në tregun global të artit”, sipas deklaratës së Sotheby’s. Kjo shitje ka hapur një faqe të re, duke vendosur një standard të ri për artin e krijuar nga robotët në skenën ndërkombëtare.
Para se portreti të arrinte rekordet në ankand, Ai-Da dhe krijuesi i saj Aidan Meller u shprehën për Euronews Culture mbi frymëzimin pas veprës: “Alan Turing ishte një matematikan me vizion të jashtëzakonshëm dhe mendimtar origjinal. Jam e lumtur që kjo vepër, e ekspozuar në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, hedh dritë mbi kontributet e tij të jashtëzakonshme,” tha Ai-Da, në një intervistë të veçantë përmes një video thirrjeje.
Krijuar në vitin 2019, Ai-Da përbën një përzierje mahnitëse të inteligjencës artificiale dhe mekanikës avancuese, duke e bërë atë të aftë të vizatojë dhe të pikturojë përmes kamerave të sofistikuara të instaluara në sytë e saj dhe algoritmeve komplekse që ndërthuren me një krah të dizajnuar enkas për artin.
Procesi kreativ i Ai-Da-s: Nga ideja tek vepra finale
Sipas Meller-it, çdo krijim i Ai-Da-s fillon me një bisedë iniciale ku sugjeron tema për portretet e saj, siç ishte edhe rasti i Turingut. Pas përzgjedhjes së një fotografie të tij, Ai-Da përgatiti disa skica fillestare dhe vizatime në formate të ndryshme, të cilat më pas u përpunuan për të prodhuar portretin përfundimtar.
“Ai-Da nuk mund të krijojë pa ndihmën e njeriut,” shpjegon Meller. “Ajo fillon nga një bazë dialoguese dhe ide artistike që e përshkruan në mënyrën e saj unike.”
Një vepër me një mesazh të fortë etik
Titulli provokativ i veprës, AI God, nuk është rastësor. Për Meller-in, ky emër reflekton një ndryshim të madh që po ndodh tani, ku vendimet po kalojnë gjithnjë e më shumë nga kontrolli i njeriut drejt algoritmeve. “Ekziston një zhvendosje e fuqisë drejt teknologjisë,” shpjegon ai. “Ndërkohë që inteligjenca artificiale po shndërrohet në një forcë që mund të ndikojë në miliona jetë, është e nevojshme të përballojmë pyetjet etike që ajo sjell.”
Portreti i Turingut, për Meller-in, është një thirrje për reflektim mbi përgjegjësinë që kemi ndaj teknologjisë. “Si mund ta përdorim këtë teknologji në mënyrë etike dhe të përgjegjshme? Dhe si mund të sigurojmë që ajo të jetë në të mirë të planetit dhe njerëzimit, përballë fuqisë së saj të pakufishme?”
Roli i Ai-Da-s në botën e artit dhe kulturës
Në vetëm pak vite, Ai-Da ka fituar vëmendjen ndërkombëtare me ekspozita të mirënjohura në Bienalen e Venecias, Ashmolean Museum në Oksford dhe Design Museum në Londër. Pavarësisht mekanikës dhe algoritmeve, Ai-Da ka përçuar mesazhe të fuqishme në krijimet e saj artistike, duke ngjallur pyetje mbi natyrën e artit, teknologjisë dhe shpirtit krijues.
Me këtë shitje që thyente çdo parashikim, Ai-Da ka shpalosur një perspektivë të re për artin, ku njerëzit dhe inteligjenca artificiale ndërthuren për të eksploruar një botë të re krijuese, të mbushur me sfida dhe premtime të mëdha për të ardhmen e artit dhe të njerëzimit./Euronews/