UBT News

Arsi Bako fiton “Festivalin e Pranverës” me këngën “Humb”

Arsi Bako është shpallur fituese e këtij edicioni të “Festivalit të Pranverës”, duke triumfuar me këngën “Humb” pas një gare të fortë mes finalistëve.

Sipas sistemit të votimit, 60% e pikëve janë dhënë nga juria profesionale dhe 40% nga votimi digjital. Arsi Bako grumbulloi gjithsej 260 pikë, duke siguruar vendin e parë dhe kualifikimin automatik në Festivalin e Këngës në RTSH në fund të vitit.

Në vendin e dytë u rendit Herva Novaku me këngën “Zemër në dy hap” me 242 pikë, ndërsa vendin e tretë e zuri Jet me këngën “Në derë do t’i qaj” me 174 pikë.

Edicioni i rikthyer i festivalit u mbajt në Teatrin e Operas dhe Baletit, duke sjellë një mbrëmje të mbushur me emocione, konkurrencë dhe nostalgji për muzikën shqiptare.

Në skenë performuan edhe emra të njohur të muzikës shqiptare si Aleksandër Gjoka, Frederik Ndoci, Irma Libohova, Rovena Dilo, Eneda Tarifa, Jonida Maliqi, Dashnor Diko, Adhurim Demiri dhe Renis Gjoka, të cilët interpretuan disa nga hitet e tyre.

Mbrëmja u drejtua nga moderatorët Bleona Qereti dhe Nik Xhelilaj, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se festivali pritet të rikthehet sërish edhe vitin e ardhshëm.

Exit mobile version