Arsenal është rikthyer në majën e futbollit anglez, duke fituar titullin e Premier League pas një pritjeje të gjatë që nga sezoni historik 2003/04.
Hera e fundit kur klubi londinez kishte festuar kurorën e kampionit ishte në edicionin e famshëm të “Invincibles”, nën drejtimin e legjendarit Arsène Wenger. Në atë sezon të paharrueshëm, Arsenali hyri në histori duke e përfunduar kampionatin pa asnjë humbje, me 26 fitore dhe 12 barazime në 38 ndeshje, duke grumbulluar 90 pikë. “Topçinjtë” realizuan 73 gola dhe pësuan vetëm 26.
Titulli i vitit 2004 ishte siguruar më 25 prill, pas barazimit 2-2 ndaj rivalit lokal Tottenham Hotspur në stadiumin White Hart Lane, një mbrëmje që mbeti simbol i dominimit të Arsenalit në futbollin anglez.
Ajo skuadër konsiderohet ende si një nga më të mirat në historinë e Premier League, falë emrave legjendarë si Thierry Henry, Dennis Bergkamp, Robert Pirès, Freddie Ljungberg, Patrick Vieira, Sol Campbell, Ashley Cole dhe Jens Lehmann.
Tashmë, me titullin e ri të konfirmuar, Arsenali hap një kapitull të ri në historinë e klubit. Pritjes së gjatë i erdhi fundi dhe kurora e kampionit është rikthyer sërish në Londër.
