Tre shtetas shqiptarë, të moshës 31 dhe 32 vjeç, janë arrestuar në Spanjë nën dyshimin se ishin pjesë e një grupi kriminal që kryente grabitje në banesa dhe vila luksoze në rajonin e Galicisë. Ata akuzohen për rreth 20 raste të vjedhjeve në provincat Ourense, Pontevedra dhe A Coruña.
Sipas mediave spanjolle, arrestimi u realizua në kuadër të operacionit policor të koduar “Ziralla”, të udhëhequr nga Garda Civile në Ourense. Hetimet tregojnë se grupi vepronte në mënyrë të organizuar, duke përzgjedhur shtëpi individuale në zona të qeta rezidenciale dhe duke vepruar kryesisht gjatë natës. Një grabitje kryhej brenda vetëm dhjetë minutash.
Për të shmangur gjurmimin dhe identifikimin nga policia, pas çdo grabitjeje të dyshuarit nuk ktheheshin në banesa apo hotele, por fshiheshin në një kamp me çadra të ngritur në një zonë të thellë malore në provincën Pontevedra. Gjatë kontrollit në këtë vendndodhje, policia gjeti pesë vetura, targa të ndryshme që ndërroheshin për të humbur gjurmët, mjete pune, veshje të errëta e maska, pajisje për vlerësimin e arit dhe diamanteve, bizhuteri të vjedhura si dhe mbi pesë mijë euro para të gatshme.
Kapja e tyre erdhi pas disa javësh hetimesh, pasi të dyshuarit u kishin shpëtuar më herët dy operacioneve policore. Ndërhyrja përfundimtare ndodhi në orët e para të mëngjesit të 18 nëntorit në zonën e Vila de Cruces, ku, në tentativë për t’i ikur postbllokut të policisë, vetura e tyre u përplas me dy automjete zyrtare të Gardës Civile.
