Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, si njësi akademike brenda UBT-së, përqendrohet kryesisht në ofrimin e mësimdhënies cilësore dhe në përdorimin e metodave të përparuara. Fokusi i tij është edhe në aktivitetet akademike të tjera që e forcojnë dhe e pasurojnë procesin mësimor, gjë që e bën programin më të madh në rajon, ku për çdo vit të interesuar për studime në këtë program ka mijëra studentë. Fakulteti gjeneron njohuri të reja përmes hulumtimeve, që janë pjesë integrale e mësimdhënies dhe bashkëveprimit midis stafit akademik dhe studentëve.
Fakulteti organizon edhe aktivitete ekstrakurrikulare me qëllim të shtimit të vlerës së studimeve në Arkitekturë dhe të ofrimit të mundësive për zhvillimin e kompetencave shtesë për profesionin e arkitektit. Këto aktivitete përfshijnë akademinë verore, konferenca shkencore, ekspozita, ligjerata tematike të hapura, si dhe vizitat studimore. Përmbledhja e fushave kryesore të kërkimit shkencor në arkitekturë dhe urbanizëm janë, Arkitekturë e Qëndrueshme, Banim, Trashëgimia Arkitektonike dhe Urbane, Planifikim Hapësinor/ Planifikim Urban, Dizajn Urban/Dizajn i Peisazhit, Historia dhe Teoria e Arkitekturës, Menaxhimi Arkitekturor, Urban dhe Mjedisor, Efiçenca e Energjisë në Ndërtesa, Performansa fizike e ndërtesës.
Studentët e Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor të UBT-së po bëjnë përvoja të rëndësishme në sektorin e industrisë përmes vizitave të organizuara. Gjithashtu, ata janë pjesë e një gamë të gjerë aktivitetesh, duke përfshirë ligjëratat tematike, konferencat dimërore dhe verore të studentëve, ceremoninë e graduimit, shkollën verore, ekspozitat studentore dhe punëtoritë, duke i pasuruar kështu përvojat e tyre në këtë fushë. Poashtu, UBT ofron një ambient të përshtatshëm për performancën akademike të studentëve dhe profesorëve të tyre. Aktivitetet kryesisht zhvillohen në ambiente të dedikuara për ligjëratat dhe ushtrimet për studentë, si dhe në ambiente shtesë në Prishtinë, Lipjan, Ferizaj dhe Prizren, duke i dhënë një shtrirje gjeografike të gjerë.
Infrastruktura e fakultetit lidh pjesën teorike me atë praktike, duke krijuar një lidhje të natyrshme midis moduleve të mësimit dhe zhvillimit. Klasat për ushtrimet kanë një kapacitet që lejojnë një qasje të drejtpërdrejtë dhe interaktivitet më të madh mes profesorëve dhe studentëve.
Fakulteti ka lidhje të ngushtë me industrinë, duke integruar praktika profesionale në kurrikulën e studimeve dhe duke ofruar punësim profesional menjëherë pas përfundimit të studimeve. Studentët përdorin qendrat e modelimit dhe simulimit të UBT-së për të kuptuar më mirë projektet dhe fenomenet që studiojnë. Infrastruktura përfshin amfiteatro për ligjëratat, klasa për ushtrimet, laboratorë për IT, hapësira ekspozuese, bibliotekë, hapësira për punë të pavarur të studentëve, studio, laboratorë me kompjuterë, laboratorë për shtyp/printim, institutet për fizikën e ndërtesave dhe studime urbane, qendrat e studentëve dhe karrierës, si dhe zyra këshillimore dhe qendra për transferimin e teknologjisë.
UBT ka një rrjet të gjerë partneritetesh me universitete dhe institucione të ndryshme në të gjithë botën. Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në veçanti ka partneritet me institucione prestigjioze si Vienna University of Technology në Austri, University of Pécs në Hungari, Anhalt University of Applied Science në Gjermani, Wroclaw University of Science and Technology në Poloni, University of Minho në Portugal, Mimar Sinan University dhe shumë universitete në Evropë e rajon.
Fakulteti gjithashtu është anëtar i disa organizatave ndërkombëtare si AESOP (Association of European Schools of Planning) dhe EAAE (European Association for Architectural Education), duke e bërë atë pjesë e një komuniteti të gjerë shkencor dhe akademik në fushën e arkitekturës dhe planifikimit hapësinor./UBTNews/
© Dionesa Ebibi