UBT News

Arijanet Muriç konfirmon largimin nga Italia: “Nuk do të luaj më për Sassuolon”

Portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muriç, ka bërë të ditur se aventura e tij në Serie A do të mbyllet këtë verë. Përmes një deklarate të prerë për mediat italiane, Muriç konfirmoi se nuk e ka ndërmend të vazhdojë te Sassuolo sezonin e ardhshëm, duke i dhënë fund huazimit nga skuadra angleze, Ipswich Town.

27-vjeçari, i cili ishte një prej shtyllave kryesore të klubit italian këtë sezon me 32 paraqitje dhe mbi 100 pritje vendimtare, theksoi se vendimi i tij është përfundimtar dhe lidhet me motive personale. “E kam njoftuar klubin se nuk dua të qëndroj pas këtij sezoni.

Me përfundimin e huazimit, mbaron edhe koha ime këtu”, u shpreh portieri kosovar, duke shuar shpresat e Sassuolos për blerjen e kartonit të tij për rreth 10 milionë euro.

Ky njoftim ka shkaktuar habi në opinionin sportiv në Itali, duke pasur parasysh formën e lartë që tregoi Muriç në luftën e skuadrës për mbijetesë. Ish-nxënësi i akademisë së Manchester Cityt, i cili ka pasur një karrierë të pasur në vende si Holanda, Turqia, Spanja dhe Anglia, pritet të rikthehet te Ipswich Town, ku ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2028.

Megjithëse destinacioni i tij i ri nuk dihet ende, paraqitjet e tij solide në Serie A pritet të nxisin interesimin e shumë klubeve evropiane gjatë afatit kalimtar të verës.

Exit mobile version