Argjentina ka siguruar një kualifikim dramatik për në finalen e madhe pasi mposhti Anglinë me rezultatin 2:1 në gjysmëfinalen e zhvilluar në Atlanta. Edhe pse anglezët kaluan të parët në avantazh në minutën e 55-të me golin e Anthony Gordon, argjentinasit nuk u dorëzuan dhe treguan një karakter të jashtëzakonshëm në minutat e fundit të lojës.
Lionel Messi ishte sërish vendimtar duke dhuruar dy asistime kyçe: fillimisht për supergolin e Enzo Fernandezit që barazoi shifrat në minutën e 85-të, dhe më pas për Lautaro Martinezin, i cili shënoi golin e fitores në minutën e 92-të.
Me këtë përmbysje të madhe, Argjentina shkon në finalen e dytë radhazi dhe ka shansin e artë të mbrojë trofeun e Kupës së Botës të fituar në Katar në vitin 2022, një sukses që historikisht e kanë arritur vetëm Brazili dhe Italia shumë kohë më parë.
Ndeshja finale do të luhet këtë të dielë në New Jersey në orën 21:00, ku Argjentina do të përballet me Spanjën, e cila eliminoi Francën. Ndërkohë, Anglia dhe Franca do të diskutojnë vendin e tretë të shtunën në orën 23:00. /E.A/
