Policia e Kosovës ka marrë të gjitha masat që të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit dhe qetësisë, gjatë vizitës së presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel.
Në një komunikatë për media Policia ka bërë të ditur se për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, për çka është kërkuar mirëkuptim i plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.
“Në kohën e ardhjes (pasdite) me 14 qershor, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në drejtim të kryeqytetit në rrugët ku lëviz eskorta, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta.
Po ashtu edhe në ditën e kthimit (pasdite) me 15 qershor, sipas agjendës zyrtare do të ndërmerren veprimet e njëjta policore, të lëvizjes së eskortës nga kryeqyteti në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’, në rrugët të cilat përdoren për qarkullim të eskortës”, thuhet në komunikatë.