Shkrimtari arbëresh Carmine Abate është shpallur fitues i Çmimit “Biella Letërsi dhe Industri”, në edicionin e XXIV.
Ky vlerësim iu akordua Abates “për aftësinë për t’i kënduar Kalabrisë së tij”, duke sjellë në qendër të rrëfimit ngjarjet dramatike të Eranovës së lashtë, një territor ku bukuritë natyrore rrezikoheshin nga projekti gjigand i kompleksit siderurgjik të Gioia Tauro-s.
Sipas motivacionit, edhe pse beteja e komunitetit dhe e dy të rinjve protagonistë kundër strukturave drejtuese të kohës rezultoi e humbur, autori ka arritur ta shndërrojë këtë histori në një paradigmë të dështimeve të politikave që sakrifikojnë natyrën në emër të përfitimit.
Çmimi “Biella Letërsi dhe Industri” nderon vepra artistike dhe jo-fiction të autorëve italianë ose të huaj të përkthyer në italisht.
Kryetari i jurisë, Alberto Sinigaglia, tha se “Carmine Abate vizaton portretin e një Italie të gatshme t’i nënshtrohet joshjes së mirëqenies, të pambrojtur ndaj krizave politike e sociale. Dhe ai e arrin këtë përmes një stili të dendur, të vrullshëm dhe jashtëzakonisht ndjellës.”
Abate, një nga zërat më të rëndësishëm të komunitetit arbëresh, ka fituar gjatë karrierës së tij disa çmime të rëndësishme letrare, përfshirë edhe Çmimin e 50-të Campiello me romanin “Kodra e erës”, botuar nga Mondadori.
Në historikun e tij, Çmimi Biella ka vlerësuar personalitete të njohura të kulturës dhe letërsisë italiane, ndër ta Giorgio Bocca (2001), Ermanno Rea (2003), Raffaele Nigro (2005), Edoardo Nesi (2012), Francesco Merloni (2020), Paolo Malaguti (2021), Antonio Franchini (2023) dhe Francesca Coin (2024). /A.Z/UBT News/
