Qindra fluturime janë anuluar dhe shërbimet hekurudhore e urbane janë ndërprerë në mbarë Belgjikën, si pasojë e një greve të përgjithshme kundër masave të planifikuara qeveritare për shkurtimin e shpenzimeve publike.
I gjithë trafiku ajror është pezulluar në aeroportin Zaventem të Brukselit dhe në atë të Charleroit, ku operojnë kompani me kosto të ulët si Ryanair. Për shkak të bojkotit nga kontrollorët e trafikut ajror, asnjë avion nuk do të ngrihet apo ulet në Bruksel nga ora 07:00 deri në 21:00, duke prekur planet e udhëtimit të mbi 50 mijë pasagjerëve. Paralelisht, janë ndalur trenat, metroja, transporti publik dhe janë raportuar ndërprerje në shkolla e shërbime të tjera publike, teksa mijëra qytetarë po marshojnë në kryeqytet.
Greva zhvillohet në mes të krizës politike për miratimin e buxhetit, pasi kryeministri Bart De Wever ende nuk ka arritur kompromis me partnerët e koalicionit pesëpartiak, ku partia e majtë Vooruit po kundërshton shkurtimet në pensione e shëndetësi dhe po kërkon rritjen e taksave për të pasurit. Mbreti Philippe e kishte refuzuar dorëheqjen e De Weverit në fillim të muajit për t’i dhënë kohë shtesë negociatave.
Udhëheqësit e sindikatave kryesore, Bert Engelaar nga FGTB dhe Ann Vermorgen nga CSC, e kanë akuzuar ekzekutivin për goditje ndaj sistemit të mbrojtjes sociale dhe shkurtim të ditëve të pushimit zyrtar, duke kërkuar tatimim të mirëfilltë të pasurisë dhe heqje të lehtësive fiskale në vend të masave shtrënguese.
