Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve do të ngjitet për herë të parë në skenën e Mbretërisë së Bashkuar, duke sjellë trashëgiminë kulturore shqiptare në zemër të Londrës përmes një shfaqjeje artistike të veçantë.
Sipas njoftimit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, performanca do të mbahet më 6 korrik në Shaw Theatre në Londër, ku publiku do të ketë mundësinë të përjetojë një mbrëmje që ndërthur traditën shqiptare me frymëzimin që poeti britanik Lord Bajron gjeti në Shqipëri.
Në këtë mbrëmje artistike, ansambli do të prezantojë një program të pasur me këngë dhe valle tradicionale, kostume autentike dhe tinguj karakteristikë të folklorit shqiptar, duke përcjellë historinë, traditat dhe identitetin kulturor të shqiptarëve para publikut ndërkombëtar.
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit thekson se shfaqja “Zëri i Trashëgimisë” synon të promovojë kulturën shqiptare përmes gjuhës universale të artit, duke shërbyer si një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Zëri i Trashëgimisë është një ftesë për të zbuluar Shqipërinë përmes artit, një urë kulturore mes dy vendeve dhe një homazh për pasurinë e jashtëzakonshme të identitetit tonë kombëtar”, thuhet në njoftimin e TKOB-së.
Kjo paraqitje shënon një moment të rëndësishëm për promovimin e kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare, duke sjellë në një nga skenat e Londrës pasurinë e folklorit dhe traditave shqiptare./atsh//A.K/
