Kombëtarja e Anglisë e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën në Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Kroacinë me rezultatin bindës 4-2 në ndeshjen e parë të fazës së grupeve. Skuadra e drejtuar nga gjermani Thomas Tuchel tregoi një forcë të jashtëzakonshme sulmuese dhe efikasitet të lartë, duke siguruar menjëherë tri pikët e para të turneut.
Përtej rëndësisë së pikëve, ky triumf shënon edhe një arritje historike për “Tre Luanët”. Për herë të tretë radhazi në histori, Anglia arrin të fitojë ndeshjen hapëse të një Kampionati Botëror – një e dhënë statistikore që nuk e kishte regjistruar kurrë më parë.
Kjo seri pozitive nisi në vitin 2018 me fitoren 2-1 kundër Tunizisë, vazhdoi në Katar 2022 me goleadën 6-2 ndaj Iranit, dhe u konfirmua tashmë në Botërorin 2026 me suksesin ndaj kroatëve. Hera e fundit që anglezët e kanë nisur këtë kompeticion me humbje ka qenë plot 12 vite më parë, në Botërorin 2014, kur u mposhtën 2-1 nga Italia.
Ky rekord i ri konfirmon stabilitetin dhe vazhdimësinë e Anglisë në skenën e madhe të futbollit, duke i pozicionuar ata që në start si një nga pretendentët kryesorë për të shkuar deri në fund të turneut. /E.A/
