Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti ishte kritik ndaj mungesës së ekuilibrit dhe mbrojtjes së keqe të skuadrës së tij në barazimin 1-1 ndaj Mallorca në hapjen e sezonit të tyre në La Liga të dielën.
Ancelotti tha se lojtarëve të tij u mungonte fokusi pasi kaluan në epërsi me Rodrygo në minutën e 13-të, por lejuan Mallorca të shpëtonte një pikë me një goditje me kokë të Vedat Muriqit pas pushimit.
“Nuk jam i lumtur. Mendoj se mund të kishim bërë shumë më mirë,” tha Ancelotti i frustruar në një konferencë për shtyp. “Duhet të jemi më të koncentruar, të punojmë më mirë si grup. Nuk është problem fitnesi, ishte mendor. Nuk dua të justifikoj asgjë. Ne duhej të bënim më mirë dhe të tregonim më shumë qëndrim. Mund të mësojmë shumë nga kjo ndeshje, është një ndeshje ku mund të shihni qartë se ku mund të përfundojmë duke pasur probleme“, shtoi Ancelotti, përcjellë KosovaPress.
Ancelotti ishte veçanërisht kritik ndaj mbrojtjes së ekipit të tij, duke thënë se ai ka nevojë për një paraqitje më të disiplinuar për shkak të një sistemi që luan me katër lojtarë sulmues si Kylian Mbappe , Vinicius Jr , Rodrygo dhe Jude Bellingham përpara.
Ai sugjeroi se Reali mund të kishte humbur lehtësisht për shkak të gabimeve të veta dhe u kërkoi lojtarëve të tij të mësonin shpejt nga gabimet e së shtunës.
“Ne e nisëm mirë ndeshjen, kaluam në avantazh dhe patëm raste për të shënuar të dytin, por na mungonte ekuilibri ”, tha Ancelotti.
“Ishte një lojë që mund ta kishim humbur sepse nuk kishim ekuilibër. Nuk ishte një lojë e mirë. Ne jemi një ekip shumë sulmues dhe ekuilibri në mbrojtje është një pjesë thelbësore e mënyrës se si jemi ndërtuar”, ka thënë trajneri italian.