UBT News

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë ligjëron në UBT për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian

Fakulteti i Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë në UBT ka nisur aktivitetet e Akademisë Verore 2026, në kuadër të Global UBT Fest 2026, me një ligjëratë të veçantë nga Ambasadori i Hungarisë në Republikën e Kosovës, László Dux, i cili zhvilloi një dialog me studentët dhe stafin akademik mbi temën “EU Enlargement Policy”.

Aktiviteti inaugurues mblodhi studentë të Shkencave Politike, Studimeve të Sigurisë, Politikave Publike dhe Menaxhimit, të cilët patën mundësinë të diskutojnë mbi një nga temat më aktuale të agjendës evropiane – politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e saj për vendet aspirante.

Gjatë ligjëratës, Ambasadori Dux trajtoi zhvillimet më të fundit në procesin e zgjerimit të BE-së, sfidat dhe mundësitë që e shoqërojnë këtë proces, si dhe perspektivën e Hungarisë lidhur me të ardhmen evropiane të rajonit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve evropiane, duke nënvizuar se zgjerimi mbetet një element kyç për forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit në Evropë.

Diskutimi u zhvillua në një atmosferë interaktive, ku studentët adresuan pyetje mbi procesin e integrimit evropian, politikat e zgjerimit, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sfidat gjeopolitike që ndikojnë në të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe rajonit.

Përmes organizimit të këtij aktiviteti, UBT vazhdon të sjellë pranë studentëve diplomatë, vendimmarrës dhe ekspertë ndërkombëtarë, duke krijuar mundësi për debat akademik dhe shkëmbim të drejtpërdrejtë të përvojave mbi çështjet më të rëndësishme të politikës globale.

Akademia Verore e Fakultetit të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me ligjërata, panele diskutimi dhe aktivitete akademike të fokusuara në diplomaci, siguri, qeverisje dhe politika publike, me pjesëmarrjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Exit mobile version