Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka pranuar titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës.
Përmes rrjeteve sociale, Ahmeti tha se ky vlerësim lidhet ngushtë me rrugëtimin e përbashkët për sigurimin e të drejtave të shqiptarëve, ndërtimin e paqes dhe përparimin drejt integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut.
“Sot pata nderin e veçantë të pranoj titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës. Ky vlerësim lidhet ngushtë me rrugëtimin tonë të përbashkët për sigurimin e të drejtave të shqiptarëve, ndërtimin e paqes dhe përparimin drejt integrimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Ahmeti.
Ahmeti u shpreh mirënjohës për këtë nderim duke thënë se ky çmim nuk i përket vetëm atij por të gjithë atyre që kanë ndarë të njëjtën rrugë, sakrificë dhe përpjekje.
“Ky çmim nuk është vetëm për mua, por për të gjithë ju, për çdo sakrificë, çdo përpjekje dhe çdo hap që kemi bërë së bashku në këtë rrugë të gjatë.Jam mirënjohës për këtë nderim dhe i vendosur që të vazhdojmë punën për çështjen kombëtare dhe për të ardhmen evropiane të vendit tonë”, shkruan ai.
“Doctor Honoris Causa” është një titull nderi i lartë akademik që një universitet i jep një individi për arritje të jashtëzakonshme në një fushë të caktuar, për të nderuar kontributin ose ndikimin e madh të një personi./S.K/KP/