UBT News

Albion Rrahmani transferohet në Serie A te Venecia, ndahet me mesazh emocional nga Sparta

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Albion Rrahmani, ka bërë hapin e madh në karrierë duke u transferuar zyrtarisht në elitën e futbollit italian, Serie A, te skuadra e Venecias. Kompletimi i këtij transferimi dhe prezantimi i tij janë bërë të ditur të enjten.

Rrahmani i jep fund kështu një periudhe mjaft të suksesshme dyvjeçare te Sparta e Pragës, klub nga i cili u nda me një mesazh mjaft prekës dhe falënderues për tifozët dhe stafin.

“Të isha pjesë e këtij klubi për dy vitet e fundit ishte një nder për mua. Erdha këtu si një djalosh që mendonte se dinte gjithçka, por gjatë kësaj periudhe në këtë klub të madh, mësova shumë gjëra që më duheshin për të vazhduar ndjekjen e ëndrrës sime dhe për t’u bërë një lojtar më i mirë çdo ditë,” ka shkruar Rrahmani në postimin e tij të lamtumirës.

Sulmuesi kosovar ka theksuar se po largohet nga klubi çek si një futbollist i formësuar dhe mbi të gjitha si një burrë më i pjekur.

“Ju falënderoj që më pranuat ashtu siç isha, duke më mbështetur në momentet e mira dhe duke më qëndruar prapa në ato të vështira. Do t’ju mbështes gjithmonë dhe do të jem një tifoz i juaji, dhe ndoshta një ditë rrugët tona do të kryqëzohen përsëri. Një herë Spartan, përgjithmonë Spartan,” përfundoi Rrahmani.

Me kalimin te Venecia, Rrahmani do të ketë mundësinë të dëshmojë cilësitë e tij në një prej kampionateve më të forta në botë, duke shënuar një tjetër sukses të madh për futbollin kosovar në arenën ndërkombëtare. /D.L/

Exit mobile version