Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 46 të tjerë janë lënduar si pasojë e dy aksidenteve të rënda zinxhirore të ndodhura mëngjesin e sotëm në autostradën që lidh kryeqytetin e Bullgarisë, Sofjen, me qytetin bregdetar të Burgasit.
Ministrja e Shëndetësisë, Katya Ivkova, bëri me dije se 10 persona ndërruan jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë nuk u mbijetuan plagëve gjatë transportimit për në spital.
Përplasja e fuqishme, e cila ndodhi rreth orës 07:00, përfshiu 86 automjete dhe kamionë të rëndë në të dyja drejtimet e autostradës, duke detyruar autoritetet të bllokojnë tërësisht qarkullimin. Sipas vlerësimeve të para të policisë, shkak për tragjedinë dyshohet të jenë bërë mjegulla e dendur, lagështia në rrugë dhe shpejtësia e papërshtatshme.
Tragjedia ka tronditur udhëheqjen shtetërore në Sofje. Kryeministri Rumen Radev ndërpreu takimin me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për të inspektuar vendin e ngjarjes, ndërsa presidentja Iliana Yotova u kthye me urgjencë nga Forumi i Paqes në Paris. /E.A/
