UBT News

Aksident me fatalitet në magjistralen Mitrovicë-Prishtinë: Vdes një grua dhe lëndohen disa të tjerë në fshatin Studime

Një aksident i rëndë trafiku me pasojë fatale ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, rreth orës 05:00, në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë, përkatësisht në fshatin Studime. Si pasojë e përplasjes, një grua ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa disa persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.

Ngjarjen e ka konfirmuar zyrtarisht zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili bëri të ditur se në këtë incident tragjik janë përfshirë dy automjete. Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ekipet e ndihmës së shpejtë mjekësore si dhe zjarrfikësit, të cilët i kanë dalë në ndihmë të lënduarve.

Policia e Kosovës ka nisur menjëherë hetime të hollësishme në vendngjarje për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e sakta që çuan deri te ky aksident fatal.

Ndërkohë, duke parë rritjen e shqetësuese të aksidenteve me pasojë humbjen e jetëve të njerëzve gjatë ditëve të fundit, zëdhënësi Hoxha ka bërë një drejtuar të gjithë pjesëmarrësve në trafik. Ai u ka kërkuar drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes maksimal, t’i përshtaten kushteve të rrugës, të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe të shmangin përdorimin e telefonit gjatë ngasjes, meqë shpërqendrimi minimal mund të ketë pasoja fatale. /E.A/

Exit mobile version