Të paktën 20 persona janë lënduar, tre prej tyre rëndë, pas një aksidenti të rëndë me tramvaj në kryeqytetin gjerman, Berlin. Ngjarja ndodhi në lagjen Lichtenberg, kur një pjesë e tramvajit doli nga shinat dhe u përplas me një shtyllë të linjës elektrike, duke shkaktuar dëmtime të mëdha në mjet, raporton e përditshmja gjermna Bild.
Sipas shërbimeve të emergjencës, përplasja ka bërë që ana e djathtë e tramvajit të çahet, ndërsa vagoni i fundit të dalë nga shinat. Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar rreth 60 pjesëtarë të zjarrfikësve dhe ekipeve të shpëtimit.
Autoritetet gjermane bëjnë të ditur se 12 nga të lënduarit janë dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërsa pjesa tjetër kanë marrë ndihmë në vendin e ngjarjes. Shkaqet e aksidentit janë ende nën hetim.
Pas aksidentit, trafiku në linjat e tramvajit M5 dhe M17 është ndërprerë përkohësisht, ndërsa autoritetet e transportit publik kanë paralajmëruar organizimin e transportit alternativ për udhëtarët.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë dëme të konsiderueshme në tramvaj, i cili është çarë në pjesën anësore pas përplasjes, duke shkaktuar panik te pasagjerët dhe një operacion të gjerë shpëtimi nga ekipet emergjente./BILD/
