Dita e dytë e Kampionatit Evropian të xhudos në Gjeorgji nuk ka sjellë medalje të reja për ekipin e Kosovës, pasi Akil Gjakova u mposht në sekondat e fundit të luftës për vendin e tretë.
Gjakova, i cili garoi në kategorinë deri në 73 kilogramë, e nisi ditën me dy fitore të rëndësishme ndaj garuesve nga Austria dhe Britania e Madhe, por lufta maratonë me këtë të fundit ndikoi në energjinë e tij për çerekfinalen kundër legjendës gjeorgjiane, Lasha Shavdatiashvili.
Edhe pse arriti të rikthehej me një fitore në repesazh ndaj moldavit Adil Osmanov, Akili u ndal në duelin për medaljen e bronztë nga turku Bilal Çiloglu, i cili shfrytëzoi një moment pakujdesie për të fituar me “Uazari”.
Në këtë kampionat u paraqitën edhe Dardan Cena dhe Laura Fazliu, por pa arritur të lënë gjurmë.
Cena u eliminua nga kampioni olimpik i Azerbajxhanit pas një fitoreje fillestare, ndërsa Laura Fazliu dëshpëroi me një eliminim të papritur që në luftën e parë kundër sllovenes Kaja Kajzer. Megjithatë, bilanci i Kosovës mbetet pozitiv falë Distria Krasniqit, e cila të enjten u shpall kampione e Evropës në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Ky sukses i Distrisë bën që Kosova të fitojë medalje në kampionatet evropiane për të 14-tin vit radhazi, duke konfirmuar nivelin e lartë në mesin e 400 xhudistëve pjesëmarrës në Tbilisi.
