Në kuadër të aktiviteteve të Akademisë Verore të Sistemeve të Informacionit, të organizuar në kuadër të Global UBT Fest 2026, studentët e UBT-së zhvilluan një vizitë studimore në TESSA Group, të shoqëruar nga profesori Agim Zuzaku.
Vizita kishte për qëllim t’u ofronte pjesëmarrësve një përvojë të drejtpërdrejtë nga industria e teknologjisë, duke i njohur nga afër me funksionimin e një kompanie lidere në fushën e transformimit digjital, sigurisë kibernetike dhe teknologjisë së informacionit. Përmes kësaj vizite, studentët patën mundësinë të shohin se si njohuritë e fituara në auditor zbatohen në projekte dhe procese reale të biznesit.
Gjatë prezantimit, përfaqësuesit e TESSA Group prezantuan historikun e kompanisë, strukturën organizative, fushat kryesore të veprimtarisë dhe projektet që realizohen në Kosovë dhe rajon. Studentët u njohën me zgjidhjet inovative që kompania zhvillon në fushat e transformimit digjital, inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike, infrastrukturës së teknologjisë së informacionit dhe sistemeve të avancuara për sektorin publik dhe privat.
Një pjesë e veçantë e vizitës iu kushtua diskutimeve mbi zhvillimet më të fundit në industrinë e ICT-së, sfidat me të cilat përballen kompanitë teknologjike dhe kompetencat që kërkon tregu bashkëkohor i punës. Përfaqësuesit e kompanisë ndanë përvoja konkrete nga projektet e tyre, duke ofruar një perspektivë praktike mbi menaxhimin e projekteve, punën në ekip, inovacionin dhe rëndësinë e të mësuarit të vazhdueshëm.
Përmes bashkëbisedimit me ekspertët e TESSA Group, studentët diskutuan mbi mundësitë e zhvillimit profesional, praktikat në industri dhe perspektivat e punësimit në sektorin e teknologjisë. Ky bashkëpunim krijoi një ambient interaktiv dhe frymëzues, duke i afruar studentët edhe më shumë me realitetin e tregut të punës.
Vizita studimore në TESSA Group përbën një nga aktivitetet praktike të Akademisë Verore të Sistemeve të Informacionit, e cila synon të ndërthurë mësimin akademik me përvojën profesionale, duke i pajisur studentët me njohuri bashkëkohore dhe kompetenca të kërkuara në industrinë e teknologjisë.

