Në kuadër të aktiviteteve të Global UBT Fest 2026, Fakulteti i Farmacisë në UBT organizoi Akademinë Verore me temën “Zbulime Shkencore në Shkencat Farmaceutike”.

Akademia u mbajt më 13 dhe 14 korrik në Parkun Shkencor, Inovativ dhe të Teknologjisë të UBT-së, duke mbledhur studentë, profesorë, studiues dhe profesionistë të fushës së shëndetësisë në një platformë të dedikuar për shkëmbimin e njohurive, diskutimin e zhvillimeve më të fundit në shkencat farmaceutike dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërdisiplinor.
Përmes një programi të pasur me ligjërata dhe diskutime shkencore, pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin me inovacionet dhe zhvillimet më të reja në fushën e shkencave farmaceutike. Aktiviteti u fokusua në tema me rëndësi të veçantë, si radiofarmaceutika, kërkimi shkencor në onkologji, produktet natyrore, kimia organike, rregullativa farmaceutike, si dhe teknologjitë moderne për formulimin dhe administrimin e barnave.
Akademia Verore shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave akademike dhe profesionale, duke krijuar mundësi për diskutime konstruktive mbi sfidat dhe perspektivat e industrisë farmaceutike. Përmes këtij organizimi, Fakulteti i Farmacisë në UBT riafirmoi përkushtimin e tij për promovimin e kërkimit shkencor, inovacionit dhe përgatitjen e profesionistëve të aftë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të vazhdueshme në sektorin e shëndetësisë.
